Qytetarët pa PCR kthehen mbrapsht, dallime brenda Qeverisë për hapjen e kufijve

TË FUNDIT

Ka gati tre muaj prej kur është vendosur për herë të dytë testi PCR për të kaluar në anën Kosovare. E qytetarët vazhdimisht kërkojnë hapjen e kufijve ndërsa politikanët po debatojnë. Disa mendojnë se ende është herët, ndërsa të tjerët këmbëngulin me arsyetim se gjendja epidemiologjike është e njëjta.

Ndonëse kufijtë e mbyllur, qytetarët shpesh e provojnë kalimin në kufirin e Bllacës. Njëri shtetas i Maqedonisë u kthye me fëmijën e tij pasi nuk kishte PCR test.

 “Nuk kalova unë isha vetëm deri në zonën neutrale dhe po kthehem prapa”, tha njw qytetar.

Ndërsa Afrim Hamiti është profesor në Universitetin e Prishtinës gati 15 vjet. Thotë se po ka shumë vështirësi por pasi ka dyshtetësi ka pasur mundësi të bëj lëvizje edhe pa PCR test.

“Është e vështirë veçanërisht për neve që punojmë në Kosovë. Në fillim kishim ligjërata online por tash disi interpretimi i rregulloreve është i gabueshëm. Ndonjëherë kërkohet edhe nga Maqedonia të kemi test PCR për të dal në Kosovë. E kemi menaxhuar disi. Unë kam dyshtetësi dhe e kam më lehtë. Por është mjaftë e vështirë”, tha Afrim Hamiti.

Çështja e hapjes së kufijve është në fokusin e diskutimeve edhe brenda kabinetit Qeveritar.

Zëvendësministri i shëndetësisë Ilir Hasani të hënën shkroi në facebook se së shpejti do të pimë kafe në Prishtinë pa PCR test.

E për këtë, deputeti i LSDM-së Muhamed Zekiri mbrëmë në emisionin Click Plus tha se Hasani është ngutur.

 “Unë gjykoj se ishte i përshpejtuar statusi i zëvendësministrit të shëndetësisë se së shpejti do të pimë kafe në Prishtinë. Dhe ndodhi që dje të shkoj të pi kafe vet në Prishtinë, pa analizuar në përgjithësi situatën”, deklaroi Zekiri.

Nga ana tjetër zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, thotë se nuk ka logjikë mbajtja mbyll e kufijve.

“Nuk shoh arsye të logjikshme për t’i pasur kufijtë e mbyllur dhe kërkova  që ta adresojmë këtë çështje, z.Zaev ishte afirmativ ndërsa u vendos që brenda kësaj javë ta shqyrtojmë mundësinë rreth hapjes së kufijve”, deklaroi Grubi.

E kryeministri Zaev për hapjen e kufijve tha se duhet të jemi të kujdesshëm, si në aspektin ekonomik por edhe për aspektin shëndetësor”.

“Nuk do të ndaja ministrat në disa për e disa kundër, kishte argumente…do të duhet të jemi të kujdesshëm, në aspektin ekonomik por edhe për aspektin shëndetësore”, deklaroi Zaev.

Ndryshe ministri i shëndetësisë Venko Filipçe në Qeveri ka informuar për debatet që po zhvillohen në nivel rajonal, me çka ka bërë të ditur se pothuajse të gjitha vendet fqinje janë pro hapjes së kufijve.