Qytetarët e Maqedonisë së Veriut pa vaksina! Qeveria dhe opozita vazhdojnë me akuza dhe padi

TË FUNDIT

Deputeti i opozitares VMRO-DPMNE Mile Lefkov iu drejtua zyrës së Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit për t’i dorëzuar dokumentet kundër Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe. Lefkov pretendon se dokumentet që ai posedon dëshmojnë se Filipçe ka autorizuar një kompani fantom që në emër të Maqedonisë të negociojë me kompaninë kineze “Sinofarm”  për blerjen e 200,000 vaksinave, me një çmim prej 62.5 dollarë për vaksinë.

 “Këto janë dokumentet që tregojnë se Filipçe autorizoi kompaninë, dhe ky është nënshkrimi i tij. Këto janë dokumentet që tregojnë se në llogarinë në Deutsche banka ka një garanci prej 12.5 milion dollarë. E këtu janë dokumentet nga Hong Kongu që tregon se kompania është krijuar vetëm për tre muaj pas formimit të qeverisë së Zoran Zaev.

Ne i bëjmë thirrje KSHPK-së që menjëherë të hapë çështje dhe të hetojë mënyrën e punës së

Filipçe, dhe për atë qëllim tani do të paraqesim një ankesë”, tha Mile Efkov nga VMRO-DPMNE.

Për dokumentet në fjalë, Filipçe thotë se janë të falsifikuar dhe ka paralajmëruar se do të ngre padi ndaj deputetit të VMRO-së, Lefkov.

 “Institucionet kanë filluar procedurat që do të dëshmojnë se nuk ka asgjë të kotestueshme dhe as nuk është bërë ndonjë dëm financiar. Por ajo që do të mbetet është dëmi i bërë nga VMRO-DPMNE në këtë proces dhe të gjitha bllokadat dhe shkatërrimet që nga fillimi i pandemisë. Sidoqoftë, nuk do të hesht më. Nesër unë do të paraqes një padi në gjykatën civile për fyerje dhe shpifje dhe shkelje të nderit dhe reputacionit tim kundër Mile Lefkov, deputetit nga VMRO-DPMNE”, potencoi Venko FIlipçe – Ministër i Shëndetësisë.

E për padinë e lartëpermëndur Leftov thotë se do të ishte më mirë sikur Filipçe të jetë më i zgjuar dhe të punojë në mbrojtjen e tij, duke këmbëngulur dhe siguruar se dokumentet nuk janë të falsifikuara.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani thotë se nuk ka kontakt me Ministrinë e Jashtme të Kinës në lidhje me  shëndetësinë. Osmani tha se deri në fund të muajit pritet të vijnë vaksinat nëpërmjet mekanizmit Kovaks.

 “Është evidente se Unioni Evropian dhe Bota kanë problem me sasitë e duhura të prodhimit të vaksinave, e me këtë edhe arritjen e kërkesave të shteteve për sasinë e duhur. E kemi nisur këtë proces, presim që deri në fund të muajit të arrijë sasia e re nëpërmjet sistemit Covax dhe kështu do të nisim procesin e vaksinimit me një dinamikë tjetër”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Përndryshe deri tani janë vaksinuar 4,782 punonjës shëndetësorë njoftojnë nga Ministrisë e Shëndetësisë.

Deri më tani 80,201 qytetarë kanë aplikuar për vaksinim përmes faqes “vakcinacija.mk”, dhe 56,821 përmes mjekut amë. Maqedonia e Veriut deri tani ka arritur të blejë vetëm 3 mijë vaksina nga Rusia Sputnik dhe ka marrë një donacion me 8.200 vaksina nga Serbia nga Kompania Pfizer.