Qendra Tregtare e Qytetit përmes furnizimeve publike ka fituar tender për ndriçim në lartësi prej 500 mijë eurove dhe për lyerje në vlerë prej 100 mijë eurove. Kjo qendër vetëm për rikonstruimin e plafonit përmes furnizimeve publike ka shpenzuar mbi 76 mijë euro apo 4 milion e 720 mijë denarë. Për vetëm 4 muaj ka shpenzuar për servisim dhe rekonstruim mbi 300 mijë euro.
Furnizime Publike
“Zëvendësimi i ndriçimit të tanishëm me led ndriçim mbi 74 mijë euro, punë zanatesh-instalim mbi 95 mijë euro, servisim dhe mirëmbajtje e pajisjeve dhe instalimin e kondicionerëve mbi 18 mijë euro, pastrimi i brendshëm i pajisjeve, pajisje dhe elementet në gjithë kondicionerët prej mbi 28 mijë euro”.
Pronarët e dyqaneve kërkojnë nga Ministri për luftë kundër korrupsionit të shqyrtojë punën e SHA QTQ Shkup. Ata ankohen për punën e drejtorit Gjoko Trajçevski, duke thënë se paguajnë shuma paushallë për rrymë edhe pse QTQ nuk ka licencë megjithatë ri-shet energji elektrike.
Para dy javëve Nikollovski në Click Plus deklaroi se për herë të parë dëgjon për gjendjen në QTQ dhe premtoi se do ta hetojë rastin.
“Kjo me QTQ, do ta angazhoj ekipin tim që të ekipin tim që të shqyrtojë të gjithë çështjet që të kemi pasqyrë të qartë dhe analizë se për çfarë bëhet fjalë. Për fat të keq sonte nuk kam informacione dhe për herë të parë dëgjoj nga ju”, u shpreh Lupço Nikollovski – Ministër për Luftë Kundër Korrupsionit.
Dy javë më vonë përsëri e pyetëm zv.kryeministrin. Ai kësaj here tha se ekipi i tij ka marrë disa informacione por ende po punojnë në akumulimin e detajeve.
“Në suaza të kabinetit tonë ndërmarrim aktivitete, jemi të informuar dhe sapo ta konfirmojmë gjendjen, nëse çështjet kanë të bëjnë me diçka që ne mund t’i ndërmarrim si kabinet dhe si Qeveri, si dhe për çdo rast paraprakisht, në mënyrë jo-selektive, për shkak se Ligji vlen për të gjithë, do të ndërmerren të gjitha mekanizmat dhe instrumentet”, tha Lupço Nikollovski – Ministër për Luftë Kundër Korrupsionit.
Për TV21 folën edhe disa nga dyqanxhinjtë të cilët thonë se faturat janë paushallë. Ka edhe dyqane që nuk punojnë por megjithatë u arrijnë fatura për energji elektrike dhe nxehje. Gjysma e dyqanxhinjve janë nëpër përmbarues.
“Kemi problem me drejtorinë. Faturat na i fakturon sikur dyqani të jetë i hapur. Na marrin të holla edhe për kondicioner, ujë dhe sigurim. Faturat janë mbi 20 mijë denarë. Disa vite nuk kanë qenë të paguara këto harxhime. Qendra tregtare na dha në përmbarues. Katër vite kam pasur llogarinë e bllokuar plus edhe kamatë. Mi morën afër 650 mijë denarë. Mbi 10 mijë euro”, potencoi Erkin Ajdini – pronar i një dyqani në QTQ.
Nga ana tjetër drejtori i QTQ, Gjoko Trajçevski thotë se nuk ka asgjë pa para. Ai pohon se kjo është e patjetërsueshme për funksionimin e Qendrës tregtare.
“Nuk ka asgjë pa para. Ka një thënie e cila thotë se Dyqani i mbyllur është dyqani më i shtrenjtë. Kjo do të thotë se nuk ka asgjë pa para. Që të mirëmbahet një objekt dikush duhet ta financojë atë”, THEKSOI Gjoko Trajçevski – Drejtor i QTQ.
TV21 para disa muajve raportoi për dyqanxhinjtë në QTQ Shkup të cilët edhe pse kanë matës të energjisë elektrike, megjithatë paguajnë fatura paushallë. QTQ nuk ka licencë për kryerjen e veprimtarisë energjetike. Nga Komisioni rregullatorë energjetik e konfirmuan këtë, duke shtuar se mënyrën e rregullimit e sjellin vetë qendrat tregtare.
