Një grup qytetarët kanë ndezur sonte qirinj para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, për t’u solidarizuar me vuajtjet e refugjatëve sirianë që kanë vërshuar kufijtë e Evropës, e në veçanti pas gjetjes së dy fëmijëve të vdekur në bregdetin turk.
Vesë Kelmendi e cila iu bashkangjit këtij aksioni, tha se qëllimi kryesor ka qenë solidarizimi me refugjatët sirianë, sidomos pas rastit të mbytjes së dy fëmijëve në bregdetin turk.
Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës duhet të solidarizohen me refugjatet nga Siria, pasi që edhe qytetarët e Kosovës ishin refugjatë në luftën e fundit, prandaj duhet të tregojnë solidarizimin me ta.
Pavarësisht numrit të madh të refugjatëve sirianë që ia kanë mësyrë vendeve të Evropës, shoqëria civile nuk ka pasur ndonjë organizim për t’u solidarizuar me ta. E, kjo sipas Kelmendit do duhej të ndodhte, sepse kur ndodhi rasti i sulmit në gazetën Charli Hebdo, ku u vranë disa punonjës të kësaj gazete satirike, u organizuan marshe përkrahëse, derisa për refugjatët sirianë dhe vdekjen e fëmijëve dhe grave nuk u organizua asnjë aksion.
Ditët e fundit në mediume dhe në rrjetet sociale dolën disa fotografi me dy fëmijë sirianë që ishin mbytur në bregdetin turk, çka ngriti shqetësime se nuk po bëhet asgjë për refugjatët sirianë që ia kanë mësyrë vendeve Evropiane./kp/
