Qeveria solli vendim, mbulon 80% të çmimit të ngrohjes qendrore! 20% kërkon ta mbulojnë Qyteti i Shkupit dhe komunat

TË FUNDIT

Qeveria në seancën e sotme ka sjell vendim që të mbulojë për 80% dallimin e çmimit aktual dhe real të ngrohjes qendrore.

Siç njoftoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi këtë e bëjnë me qëllim që qytetarët – shfrytëzues të ngrohjes qendrore të mos pranojnë fatura më të larta të ngrohjes qendrore.

“Qeveria pas koordinimit me të gjitha institucionet kompetente nga sektori energjetik dhe konsultimeve me KRrE-në (Komisionin Rregullator për Energjetikë), u propozoi kompanive të cilat kanë licencë për prodhim, shpërndarje dhe furnizim me ngrohjen qendrore, dallimin nga çmimi aktual dhe real të ngrohjes qendrore ta mbulojë Qeveria nga buxheti në lartësi prej 80% kurse 20% të tjerat, me qëllim që të mbyllet i gjithë konstruksioni financiar dhe të garantohet siguri dhe stabilitet në furnizimin me ngrohje qendrore për shfrytëzuesit e rrjetit të ngrohjes qendrore, edhe pse një pjesë minimale, ftojmë që ta mbulojë Qyteti i Shkupit dhe komunat në kuadër të qytetit”, tha Bekteshi, transmeton TV21.

Dallimin e çmimit në kurriz të konsumatorëve Qeveria do t’ia paguajë drejtpërdrejt BEG-ut dhe me këtë, kjo kompani do të obligohet që t’i ul faturat e qytetarëve.

“Amvisëritë nuk do të marrin fatura më të larta për ngrohje qendrore”, premton Bekteshi.