Qeveria shpalli gjendje krize, për furnizim stabil dhe të vazhdueshëm me energji elektrike

TË FUNDIT

Të gjithë kapacitet shtetërore janë në funksion që të rritet prodhimi vendor dhe të mos ketë rritje të çmimit për amvisëritë. Megjithatë nuk ka prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike andaj Qeveria sot shpalli gjendje krize energjetike për furnizim stabil dhe të vazhdueshëm me rrymë.

“Qeveria në seancën e sotme në kërkesë të Komisionit për vlerësim të sektorit energjetik në vendin tonë, i formuar nga Ministria e ekonomisë, solli vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në furnizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 30 ditëve”, theksoi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

VMRO-DPMNE vazhdon të akuzojë se pushteti pas rrethit të dytë të zgjedhjeve ka sjellë dekret për shpalljen e gjendjes së krizës elektro – energjetike. Thonë se akumulimet e punës së hidrocentraleve janë me rezervë të përgjithshme nën 10%.

“VMRO-DPMNE një kohë të gjatë theksonte se Republika e Maqedonisë është në prag të kolapsit elektro-energjetik, por pushteti në largim i Zoran Zaevit, ka fshehur këtë me qëllimin e vetëm që të mos cenojë rejtingun i cili u ka rënë në procesin zgjedhor i cili u zhvillua në periudhën paraprake”. tha Stevçe Antovski nga VMRO-DPMNE.

Blloku 1 i TEC Manastir përsëri është në funksion, prodhon rrymë dhe është kyçur në rrjetin energjetik, kumtuan nga udhëheqësia e Kombinatit. TEC Manastir pothuajse 24 orë ishte i shkyçur dhe nuk prodhonte energji elektrike pasi që Blloku 1, i vetmi i cili punonte, duhet të shkyçej për shkak të një defekti. Nga Termocentralet e Maqedonisë paralajmërojnë se deri në fund të javës duhet të përfundojë remonti i Bllokut 2, i cili ka qenë i planifikuar, me çka edhe ky bllok do të vendoset në funksion dhe do të fillojë të prodhojë energji elektrike për amvisëritë. Blloku 3 pas aksidentit që ndodhi të premten, do të vendoset në funksion më së paku pas 1 muaji.