Pas rritjes së lartë të çmimeve të lëndëve të para në nivel botëror, Oda Ekonomike dje paralajmëroi se nëse nuk ndërmerren masa mund të vijë deri te goditje serioze e çmimeve të ushqimit të cilat deri në fund të vitit mund të rriten deri në 50%. Kjo mund të ndikojë mbi spiralen e inflacionit, e me këtë edhe mbi buxhetin e qytetarëve. Kryeministri Zoran Zaev thotë se kjo nuk është e vërtetë dhe se po ndërmerren masa.
“Së pari, është e tepruar kur thuhet se çmimet do të rriten për 50%. Kjo absolutisht nuk është e vërtetë. Shihni se inflacioni në vend është duke u kontrolluar, ai është deri në 2.7% dhe me të vërtetë është në nivel të ulët të kontrolluar. Në industrinë ushqimore i kemi edhe mundësitë e rezervave të mallrave për të ndërhyrë dhe për të parandaluar ndonjë “shok”, me të vetmin qëllim – ta stabilizojmë çmimin për konsumatorët, por edhe të keni prodhimtari të qëndrueshme për prodhuesit nga sektori i ushqimit”, tha Zaev.
Përfaqësues të sektorit përpunues bujqësor kërkojnë takim urgjent me zv.kryeministrin për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, që të gjendet zgjidhje me të cilën do të zbutet goditja nga çmimet.
“Ne si Qeveri ndërmarrim masa atje ku vlerësojmë se duhet të ndërmerren. Kryeministri tha se sot është publikuar tender për furnizimin e qymyrit për shkak se vlerësuam se duhet të intervenojmë me prodhim shtesë të energjisë elektrike nga resurset tona natyrore. Kjo është ndërmarrë jo për shkak se dikush ka kërkuar por për shkak se i ndjekim gjendjet dhe vlerësojmë se kjo është politikë adekuate dhe se si Qeveria duhet të sigurojë sigurim në furnizimin me energjinë elektrike”, tha Bytyqi.
Për paralajmërimet për krizë të re energjetike e cila në mënyrë shtesë do të rrisë edhe çmimin e energjisë elektrike jo vetëm për amvisëritë, por edhe për prodhuesit, është paralajmëruar se do të rritet prodhimi vendor i energjisë elektrike.
“Porosia e parë është që qytetarët nuk duhet të ngurojnë për shkak se çmimi i konfirmuar nga Qeveria është 36 euro, dallimin ndaj ЕMV e mbulojmë ne, tatimin e vlerës së shtuar e ulëm nga 18 në 5% dhe janë ndërmarrë të gjithë hapat për çmim stabil të amvisërive. Është dhënë urdhër, mendoj se sot është publikuar tender për aktivizimin e bllokut të tretë, zakonisht TEC Manastir punon me dy blloqe, tani e aktivizojmë edhe bllokun e tretë, me çka qëllimi kryesor është të gjenerohen politika të menaxhimit të plotë me ndihmën ndaj kompanive, ndaj institucioneve publike”, tha Zaev.
Se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, konfirmoi edhe njeriu i parë i Komisionit Rregullator Energjetik, Marko Bislimovski. Nuk shoh asnjë arsye për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe çmimi aktual do të mbetet më së paku deri në fund të dhjetorit, porositi Bislimovski.
