Qeveria po “qëndisë” pakon e pestë ekonomike! Opozita bën thirrje të mos keqpërdoret për fushatë zgjedhore

TË FUNDIT

Pakoja e 5-të për ndihmë ekonomike është dizajnuar thuajse plotësisht, tregoi mbrëmë në ClickPlus Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, duke zbuluar se tani në Qeveri po diskutohet vetëm për detajet e zbatimit të masave që dalin nga kjo pako. Janë dy opsione që po mendohen si ndihmë ndaj kompanive. E para, subvencionim i pagave nga 14 deri në 21 mijë denarë, ndërsa e dyta mbështetja në bazë të performancës së kompanive. 

“Nuk është kredi pa kamatë por ka brenda për brenda edhe komponentin e grantit. Të gjitha kompanitë që do të përfitojnë nga kjo kredi, në thonjëza, me zero kamatë, dhe në fund të vitit 2021 do të ketë rritje të numrit të të punësuarve, do të shënojë rezultate pozitive sa i përket xhiros në krahasim me 2019 dhe 2020, do të përfitojnë grant nga shuma e cila është ndarë për kompanitë”, tha Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.

Kreu i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Micskoski, pas takimeve që bëri sot me zanatçinjtë në Çarshinë e Shkupit, i bëri thirrje Qeverisë të mos i keqpërdorë pakot ekonomike për blerje.

 “E dimë se këtë do ta bëni, zgjedhjet po afrohen, por të paktën tani në këtë periudhë ndihmojini këta njerëz që ta mbajnë biznesin sepse nga ky jetojnë”, potencoi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Katër pakot e deritanishme ekonomike kanë vlerë prej 1,2 miliardë euro, por pavarësisht kësaj, sipas deputetit të ASh-së Elmi Aziri, mbështetja reale që qeveria ia ka bërë ekonomisë është 3,5% e BPV.

 “Prej këtij 3,5%, 2% janë me implikime të drejtpërdrejta buxhetore dhe 1,5% është huazim, implikim, implikim jobuxhet. Pra, masa e vetme të cilën e ka pranuar qytetari dhe që e kanë pranuar firmat, e para është subvencionimi i pagave, e dyta janë kartelat pagesore prej 6 mijë denarëve dhe pjesa tjetër janë kredi”, potencoi Elmi Aziri – koalicioni ASH-AAA.

Në ClickPlus si përfaqësues i biznesit foli afaristi Mendi Qyra, i cili shprehu pakënaqësinë nga katër masat ekonomike që qeveria ka ndarë deri më tani.

 “Për arsye se këto mjete janë shumë simbolike. Këtu dua të them për mjetet që ishin vetëm për pagat, të cilat ishin 14,600 denarë, nga të cilat 5,500 i merr prap shteti dhe mbeten vetëm 9 mijë denarë, ose 150 euro, për një punëtor i cili me këto mund të mbijetojë ndoshta vetëm në 10 ditët e para dhe jo më shumë”, u shpreh Mendi Qyra – afarist.

Masat më të përshtatshme sipas Qyrës do të ishin sikur kompanitë të ndaheshin në kompani që kanë më së shumti humbje dhe në kompani që kanë pësuar më pak goditje. Kompanitë të cilat kishin fuqi që vetë të qëndrojnë, sipas Qyrës, së paku është dashur të mbështeten me kredi me normë të ulët interesi. Në emision po ashtu u përmend edhe se për shkak të pandemisë 17,000 persona kanë mbetur pa punë ndërsa sektorët më të goditur janë turizmi, gastronomia dhe transporti.