Kryeministri Hristijan Mickoski vazhdon hapur të mbështesë bojkotin e marketeve. Këtë herë ai e shprehu qëndrimin e tij edhe në OdënE Ekonomike, ku anëtarë janë disa prej rrjeteve të marketeve. Ai përsëriti se disa markete po e keqpërdorin me pozicionin e tyre dhe kanë rritur çmimet në mënyrë joreale. Ministrja e Financave, megjithatë, thotë se për të pasur ndonjë efekt dhe për t’i sjellë në vete tregtarët duhet të zbatohen ligjet.
Me qëllim të zbatimit të Ligjit për praktika të padrejta tregtare, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka kërkuar shtatë punësime të reja, të cilat tashmë janë miratuar nga Financat.
Përndryshe, një numër i mirë i ekonomistëve besojnë se bojkoti i markteve mund të ketë vetëm efekte afatshkurtra. Ata thonë se për të frenuar realisht çmimet, duhet të rritet prodhimi vendas i ushqimit, të reduktohet në mënyrë drastike varësia nga energjia elektrike e importuar, të bëhet kalimi në energjinë e gjelbër, si dhe të synohet ndihma për më të varfrit. Për këtë Mickoski thotë se janë në rrugën e duhur.
Ndryshe, në vitin 2023, qarkullimi i supermarketeve në vend ishte 930 milionë, me fitim prej 35 milionë euro. Kjo do të thotë se norma e fitimit të këtij sektori është 3.76 për qind, me të dhënat që tregojnë se pjesa më e madhe e marketeve lëvizin rreth kësaj shifre, ndërsa vetëm një ka fitim pak mbi 10 për qind.