Qeveria nuk sheh nevojë të shpallë gjendje krize, pas rritjes së madhe të çmimeve të karburanteve dhe rrezikut nga inflacioni. Edhe pse ekspertët dhe komuniteti i biznesit apeluan që të ndërmerren masa urgjente, kryeministri Hristijan Mickoski tha se për momentin nuk ka nevojë për një vendim të tillë.
Sipas tij, edhe pas vendimit të djeshëm të Komisionit Rregullator për Energjetikë, me të cilin çmimi i naftës u rrit për 14,5 denarë dhe arriti në 1,39 euro për litër, Maqedonia ende ka çmimet më të ulëta të naftës dhe karburanteve të tjera në rajon.
“Në Shqipërinë fqinje është 1,79 euro për litër, që është rreth 30 për qind më shtrenjtë. Në Serbi është rreth 1,73 euro për litër, pra afërsisht 25 për qind më shtrenjtë se në Maqedoni. Në Kosovë çmimi varion dhe arrin deri në 1,52–1,53 euro, që është rreth 10 për qind më shtrenjtë, ndërsa në Greqi është 1,59 euro për litër, ose rreth 15 për qind më shtrenjtë. Në Bullgari është 1,41 euro për litër. Pra, në rajon qytetarët e Maqedonisë kanë çmimin më të ulët”, tha Hristijan Micksoki.
Ai njoftoi se nesër do të takohet me distributorët dhe zinxhirët e marketeve për t’u kërkuar që të mos e shfrytëzojnë situatën për të rritur menjëherë çmimet. Sipas tij, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe inspektorët e tregut janë në terren, ndërsa inflacioni mbetet stabil dhe është më i ulëti në rajon.
“Inflacioni ka rënë nën 3 për qind, konkretisht është 2,9 për qind dhe përsëri është ndër më të ulëtit në rajon. Greqia ka rreth 3 për qind, Bullgaria 3,5 për qind, Kosova në janar kishte 5,8 për qind, ndërsa për shkurt nuk ka të dhëna. Kroacia ka 3,8 për qind, Sllovakia 4 për qind, ndërsa Rumania mbi 9 për qind”, deklaroi Mickoski.
Mickoski pret që këtë vit inflacioni të lëvizë ndërmjet 2 dhe 3 për qind dhe shprehet i kënaqur me masat e ndërmarra për stabilizimin e inflacionit bazë. Ai shtoi se nëse situata në Gjirin Persik zgjat dhe shkakton pasoja globale, atëherë bëhet fjalë për zhvillime që nuk varen nga vendi.
