Qeveria nuk i përfill, OEE paralajmëron protesta! Bekteshi: Është e drejtë e secilit të protestojë

TË FUNDIT

Oda Ekonomike për Energjetikë paralajmëron protesta, sepse siç thonë, Qeveria nuk i përfilli sugjerimet e tyre për dalje nga kriza energjetike. Kërkojnë kthimin e EVN-së nën kompetenca të shtetit si dhe shkarkimin e zyrtarëve më të lartë që merren me politikat energjetike. Nëse edhe më tej nuk u merren parasysh kërkesat, Kryetari i Odës, paralajmëron protesta edhe më masive.

“Kërkojmë qartë, me zë të lartë dhe strikte shpëtim nga kriza energjetike, mbi të gjitha janë çmimet tejet të larta të burimeve të energjisë. Qëllimi ynë është në fakt t’ju ndihmojmë dhe pika e parë e kërkesës tonë më 24 janar ishte shkarkimi i personave të papërgjegjshëm, pika e dyte zgjidhje si të shpëtohet shteti dhe si të dalim nga kjo krizë energjetike. Dhe pika e tretë ka të bëjë me EVN-në, problemet që vazhdimisht i mundojnë qytetarët dhe mundësi të vërtetojmë se pse EVN duhet t’i kthehet shtetit”, tha Gjogji Manaskov, kryetar i OEE-së.

Pa komentuar në hollësi, ministri i Ekonomisë thotë se është e drejtë e secilit qytetarë të protestojë dhe ta shprehë atë që mendon.

“Është e drejtë demokratike e të gjithë aktorëve, përfshirë edhe odat, edhe pse siç kam informata, oda përkatëse nuk është as e regjistruar në pjesën e odave më të mëdha në shtetin tonë, ku është Lidhja e Odave Ekonomike, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore dhe të ngjashme kanë të drejtë të mbajnë protesta dhe në mënyrë të qetë të tregojnë atë që e mendojnë”, vlerëson Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Kryetari i Odës Gjorgji Manaskov thekson se janë të regjistruar në Regjistrin Qendror si Odë e pavarur, ndërkaq pjesë e saj janë diku rreth 500 kompani serioze që kërkojnë zgjidhje për krizën energjetike që tangon çdo qytetarë.