Qeveria i ndau komunës së Haraçinës gjysmë milion euro.
Kjo ndihmë financiare e pakthyeshme, siç njoftojnë nga Qeveria, ndahet për përballjen e vështirësive në punët e përditshme të shkaktuara për shkak të krizës me Covid 19.
Por për çfarë më konkretisht do t’i përdorë Komuna e Haraçinës këto para që janë dedikuar për luftën kundër Covid19 dhe a janë të mjaftueshme.
Nga komuna e Haraçinës me përgjigje:
“Duke qenë se pandemia Covid-19, e ka rënduar edhe më shumë funksionimin e aktiviteteve të komunës, kemi parashtruar kërkesë me qëllim për ndihmesë financiare nga Qeveria lidhur me efektet e Covid-19, për tu ballafaquar me borxhet e komunës. Ne si komunë, kemi trashëguar komunën me shumë borxhe, ndërsa pandemia e ka vështirësuar edhe më tutje gjendjen me borxhet komunale. Qeveria solli vendim dhe jemi shumë falenderues për ndihmën e akorduar. Borxhet aktuale të komunës janë mbi 60 milion denarë, ndërsa, me mjetet që na i ka akorduar Qeveria, ne do të shlyejmë 30 milion denarë, dmth do të kemi akoma borxhe për t’i shlyer”, thonë nga Komuna e Haraçinës.
Pyetëm në Qeveri se a do të ndihmohen financiarisht edhe komunat tjera për të përballur krizën nga Covid19 dhe se mbi çfarë kriteresh e përcaktoi shumën përkatëse të cilën ia ndau Haraçinës.
“Qeveria ndihmon vazhdimisht komunat në mënyra të ndryshme, duke përfshirë grante për investime kapitale, duke nxitur aktivitetin ekonomik, duke mbështetur likuiditetin në kohë krize, dhe ngjashëm. Nga kjo kanë dobi të gjithë qytetarët”, theksojnë nga Qeveria.
Disa nga komunat e Shkupit, ndihmën e Qeverisë për komunën e Haraçinës e vlerësojnë si pozitive dhe nuk ndihen të lënë anash.
“Si komunë na bëhet qejfi që i është ndihmuar në këtë pjesë. Sigurisht se nëse ka nevojë do të duhet që Qeveria të sheh dhe të ndihmojë edhe Komunat e tjera, të cilat janë dëmtuar dhe nuk mund të funksionojnë si rezultat i Covid19”, potencojnë nga Komuna e Çairit.
“Do na kishte ardhur mirë edhe ne kjo ndihmë, megjithatë nuk ndjehemi të pabarabartë sepse dje kishte seancë në Qeveri ku ne si komunë e Karposhit aplikuam me një projekt dhe lart-poshtë morëm një shumë të atillë. Pra nuk ndihemi shumë të pabarabartë edhe pse ideja nuk është e keqe, të ndihmojë qeveria në këtë formë”, thonë nga Komuna e Karposhit.
“Secila komunë me prioritetet e veta, Qeveria është këtu që në ndonjë formë sipas specifikës dhe pozitës gjeografike ku ndodhet komuna të dal në ndihmë në kërkesa të caktuara. Besoj se komuna e Haraçinës ka kërkuar mjete për të luftuar krizën nga Covid19”, deklarojnë nga Komuna Qendër.
Përndryshe dje në seancën e 28 me radhë qeveria ka miratuar edhe 8 milion euro shtesë në pakon e 4 për të ndihmuar qytetarët dhe kompanitë që kanë pësuar nga Covid19. Këtu përfshihen artistët, kopshtet privatë të fëmijëve, këndet e lojërave dhe qendrat edukuese për fëmijë, qendrat e gjuhëve të huaja, organizatorët e dasmave, klubet e natës e kështu me radhë, Qendra tregtare e qytetit e kështu me radhë.
