Qeveria miraton dekret, ndahen 78 milionë denarë për adaptim të hapësirës së Qendrës Klinike “Nënë Tereza”

TË FUNDIT

Në seancë qeveritare është miratuar dekreti për organizim dhe rikonstruim të hapësirës publike në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Në pajtim me këtë dekret, miratohen mjete financiare në lartësi prej 78 milionë denarë për sigurim të funksionimit më efikas të Qendrës Klinike “Nënë Tereza” për të ofruar shërbime shëndetësore, transport dhe zhvendosje të pacientëve të sëmurë nga virusi korona dhe punë të pandërprerë të klinikave të tjera të vendosura në këtë Qendër Klinike edhe gjatë kohës së pandemisë”, thuhet në kumtesën e Qeverisë, njofton TV 21.

Parashihet edhe rikonstruim i rrugëve, i trotuareve, i korsive të këmbësorëve për qarkullim të pandërprerë të veturave ndërspitalore dhe intervenuese, veturave të Ndihmës së Shpejtë, mjekëve dhe pacientëve.

78 milionë denarët do t’i kalojnë Qytetit të Shkupit i cili do ta realizojë rikonstruimin e hapësirës.