Qeveria miraton buxhetin për vitin 2023/ Do të jetë 324,8 miliardë denarë

TË FUNDIT

Qeveria në seancën e sotme miratoi Projekt-buxhetin për vitin 2023 të propozuar, i cili vjen si propozim nga Ministria e Financave. Buxheti nga ana e shpenzimeve pritet të jetë 324,8 miliardë denarë, të hyrat të jenë 282,05 miliardë denarë, kurse deficiti vlerësohet në 42,75 miliardë denarë. Siç pohon kryeministri Kovaçevski, Projekt-buxheti për vitin 2023 bazohet në rregullin – shpenzimet kapitale janë më të larta se deficiti buxhetor. Në 2023-tën parashihet nivel rekord i investimeve kapitale prej 795 milionë eurove, ose për 52,3% më shumë në krahasim me këtë vit. Kovaçevski thotë se pritet të vazhdojnë normat pozitive të rritjes ekonomike prej 2,9%. Normat e rritjes, nga viti 2025 do të rriten në 5% që synohen të arrihen.

“Me këtë buxhet dhe projeksionet makroekonomike, ne arrijmë të projektojmë rritje në vitin e ardhshëm. Rritja prej 2,9% mbi të cilën bazohet ky buxhet, 2,9% e BPV-së, e cila është rishikuar në rënie në raport me projeksionin fillestar prej 4,6%. Inflacioni – 7,1% dhe në këto kushte deficit buxhetor i parashikuar prej 4,6% të BPV-së. Me këtë, i përcaktojmë tre qëllimet bazë të këtij buxheti. Në këtë kontekst ekonomik, sfida kryesore është përballja me efektet e krizës globale energjetike dhe inflacionit, pastaj ruajtja e rritjes ekonomike dhe përmbushja e të gjitha obligimeve të shtetit rregullisht pa përjashtim, duke mbështetur reformat dhe proceset tona eurointegruese.”- deklaroi Fatmir Besimi, Ministër i Financave.