Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi bëri të ditur se sot është miratuar një tekst i ri i propozim-ligjit për lojërat e fatit që më pas do të dërgohet për procedura të mëtejshme në Kuvend, që sipas Azizit, shënon një fazë të re në luftën kundër organizimit ilegal të lojërave të fatit dhe reklamimit agresiv.
Siç potencoi Azizi, ky ligj la për qëllim mbrojtjen e fëmijëve, brezave të rinj dhe familjeve si dhe mbrojtjen e procesit arsimor dhe sigurisë së nxënësve.
“Për herë të parë vendosen kufizime të rrepta për reklamimin e lojërave të fatit. Ndalohet reklamimi jashtë hapësirave afariste nëse ai ka për qëllim nxitjen e qytetarëve për të marrë pjesë në lojëra të fatit. Ndalohet përdorimi i mesazheve që bixhozin e paraqesin si rrugë drejt suksesit financiar, jetës më të mirë apo si zgjidhje për problemet personale dhe sociale.
Po ashtu, ndalohet reklamimi përmes personazheve publike dhe përmbajtjeve të orientuara drejt të miturve. Po dërgojmë një mesazh të qartë se bixhozi nuk guxon të normalizohet dhe as të paraqitet si stil jetese para të rinjve.
Pika e dytë kyçe është mbrojtja e procesit arsimor dhe sigurisë së nxënësve.
Me ligjin parashihet që të gjitha objektet ku organizohen lojëra të fatit, në kazinot, klubet e automatëve dhe lojërat elektronike të fatit, të jenë të vendosura së paku 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme.
Në bastoret që ndodhen brenda një rrezeje prej 500 metrash nga shkollat nuk do të lejohet vendosja e terminaleve elektronike video-lotari dhe pajisjeve të tjera për lojëra elektronike të fatit”, deklaroi Azizi.
