Një gjykatë italiane i ka njohur ligjërisht një fëmije 4-vjeçar tre prindër, dy baballarë dhe një nënë, një vendim historik që ka zemëruar katolikët konservatorë.
Vendimi është raportuar të martën nga disa media italiane dhe është konfirmuar nga Pasqua Manfredi, avokati i njërit prej baballarëve të djalit.
Fëmija ka lindur në Gjermani dhe jeton atje me dy burra të martuar, njëri prej të cilëve është prindi biologjik, i cili e ka lindur atë me një grua që është mike e çiftit.
Babai jo-biologjik, i cili është italo-gjerman, më pas e adoptoi fëmijën sipas ligjit gjerman, por ai kërkoi që ky birësim të njihej edhe në Itali.
Një autoritet lokal e ka hedhur poshtë kërkesën, duke dyshuar se fëmija kishte lindur nga një nënë surrogate e cila e kishte kryer shtatzëninë jashtë vendit, një praktikë që qeveria konservatore e Italisë e ka kriminalizuar.
Një gjykatë apeli në qytetin jugor italian të Barit e ka rrëzuar vendimin, duke pranuar se nuk kishte marrëveshje për nëna surrogate në familje.
Vendimi, i cili është përfundimtar, do të thotë që Italia, ashtu si Gjermania, pranon që fëmija ka dy baballarë të njohur ligjërisht dhe një nënë.
“Nuk kishte asnjë marrëveshje sekrete për surrogaci këtu, ky është një rast i tre personave që të gjithë duan të jenë prindër të këtij fëmije, dhe gjykata e njohu këtë”, ka thënë Manfredi për Reuters.
Vendimi është marrë që nga janari, por është publikuar ndërsa Italia shënoi 10-vjetorin që kur parlamenti votoi për të legalizuar partneritetet e të njëjtës gjini.
Pro Vita & Famiglia, një grup katolik që bën fushatë për atë që quan “vlera tradicionale familjare”, e ka dënuar vendimin dhe ka thënë se njohja ligjore e bashkimeve të të njëjtës gjini kishte “përmbysur ligjin familjar, duke i ekspozuar të miturit ndaj të gjitha llojeve të eksperimentimeve sociale dhe ideologjike”
