Qeveria me masa të reja, orë e shtuar policore, lutjet për ramazan dhe pashkë, besimtarët do t’i bëjnë nga shtëpia

TË FUNDIT

Vendi për 2-3 javët e ardhshme përgatitet për një fazë më kritike me virusin korona. Piku i të infektuarve më Covid 19 pritet të jetë pas 3 javësh ku numri mund të shkojë deri në 2000-2500 të infektuar. Oliver Spasovski, kryeministër i vendit u shpreh se nuk dihet se sa do të zgjasë dhe kur do të përfundojë kjo situatë prandaj janë të nevojshme masa më rigoroze  për të parandaluar shpërndarjen e virusit.

“Ne si vend nuk e kemi kaluar më të keqen. Sipas ekspertëve, dy tre javët e ardhshme do të arrijmë kulmin e të infektuarve me virusin korona, numër i cili përafërsisht do të jetë 2000 deri 2500 raste të infektuara, tha Oliver Spasovski.

Sot në seancën e Qeverisë u vendos për orë policore të zgjatur, çdo ditë  prej orës 16 deri në ora 5 të mëngjesit, ndërsa ditëve të fundjavës vendi do të jetë në shtetrrethim gjatë gjithë kohës. Masat nga e mërkura hyjnë në fuqi.

“Ndalohet lëvizja për të gjithë qytetarët në nivel shtetëror, çdo ditë pune nga e hëna në të premte prej orës 16 deri ora 5 e mëngjesit. Gjatë fundjavës ndalohet lëvizja për gjithë qytetarët nga e premtja prej orës 16 deri të hënën në 5 të mëngjesit, në të gjithë territorin e vendit, tha Oliver Spasovski.

Gjithashtu personat nën moshën 18 vjeçare do ta kenë të ndaluar lëvizjen tërësisht përveç se nga ora 13 deri ora 15 të ditës. Edhe të moshuarve mbi 67 vjet ju ndalohet lëvizja e tërësishme përveç se nga ora  10 me 12 në mesditë. Ndalohet e lëvizja e qytetarëve në grupe më shumë se dy persona në vende publike. Spasovski foli edhe për mënyrën e re të festimit të Ramazanit dhe Pashkëve.

“Këtë vit festën e Pashkëve dhe Ramazanit si dhe të gjithë festat në këtë periudhë duhet dhe do t’i kalojmë në shtëpi. Këtë vit besimtarët lutjet e tyre duhet t’i dërgojnë nga shtëpia, urimet për Pashkët do t’i dërgojmë nga shtëpia, e njëjta do të vlejë edhe për urimet e Ramazanit. Nga shtëpia nëpërmjet celularit dhe internet nga shtëpitë e veta dhe jo të mbledhur me familjaret”, tha Oliver Spasovski.

Drejtori i Institutit për Shëndet Publik, Vlladimir Mikiq tha se masat janë të patjetërsueshme, nëse nuk merren masa të tilla numrat do të rriten edhe më shumë.

“Masat janë të patjetërsueshme. Në këtë periudhë nuk kemi mënyrë tjetër, nuk kemi ilaçë specifik, nuk ekziston vaksinë dhe nuk ekziston masë tjetër e cila mund ta parandalojë shpërndarjen e mëtutjeshme të epidemisë, tha Vlladimir Mikiq, drejtor i ISHP.

Spasovski tha se ka dhe masa të tjera më rigoroze por apelojne deri te qytetarët t’i respektojnë masat dhe të mos vijë nevoja në ashpërsimin edhe më të madh të masave.