Shtabi Qendror i krizës i kaloi rekomandimet e KSI, pronarët e restoranteve masat i cilësojnë si diskriminuese

TË FUNDIT

Rekomandimet për zbutjen e masave anti-covid i kaloi edhe Shtabi Qendror i krizës. Vendimi që dasmat dhe ahengjet tjera më të mëdha të bëhen vetëm në ambiente të hapura ka ngjallur pakënaqësi dhe reagime të shumta tek pronarët e restoranteve por edhe te dasmorët. Lulzim Hasani i cili posedon restorant të mbyllur, ankohet se edhe këtë vit do të ketë humbje të mëdha. Sipas tij ky vendim është diskriminues ngaqë siç thotë, në vendin tonë rreth 80% e objekteve për dasma janë të mbyllura.

Problemet e mëdha që i ka ky sektor i hotelerisë dhe turizmit, nuk mund të tejkalohen me masa të kësaj natyre. Janë shumë konfuze, të përgjithësuara, të pamjaftueshme në aspektin financiar, poashtu janë edhe diskriminuese. Janë diskriminuese nga shkaku se mbi 80% e objekteve të kësaj natyre, janë objekte të mbyllura. Prandaj ne, ende rezultojmë të mbyllur.” – thotë Lulzim Hasani, pronar i restorantit “Ahengu”.

E ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe vazhdon të apeloj për kujdes nga ana e qytetarëve. Ai thotë se ahengjet mund të mbahen vetëm në hapësira të jashtme, edhe atë mund të ketë mysafirë vetëm sa gjysma e kapacitetit të hapësirës.

“Lejohen ahengje, dasma e festat tjera që deri tani ishin të ndaluara, por në ambient të hapur, me një numër maksimal deri në 100 mysafirë. Mos të mbushet më shumë se gjysma e kapacitetit e hapësirës ku organizohet ngjarja. Në kuadër të gjithë situatës, kemi të dhëna të sakta se epidemia po qetësohet, megjithatë apeloj që qytetarët të jenë të kujdesshëm. Maskat janë mekanizëm i mirë mbrojtës.” – deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Pronarët e restoranteve ankohen për humbje të mëdha financiare. Ata thonë se edhe nëse u lejojnë në moment të fundit të mbahen dasmat në salla të mbyllura, do të krijohen shqetësime te dasmorët dhe tek ata. Përndryshe deri me 15 qershor pritet që Komisioni për sëmundje infektive të mblidhet edhe një herë dhe të shqyrtojë zbutjen eventuale të masave aktuale, në pajtim me gjendjen epidemiologjike me Covid19.