Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për ekzekutimin e 100 eurove për të gjithë studentët që plotësojnë kriteret me fillimin e vitit të ri akademik.
Këto mjete pritet të kenë kosto rreth 6 milionë euro.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se këto mjete do të sigurohen nga Programi i Ringjalljes Ekonomike.
“Siç e theksuat kemi të bëjmë me ndarjen e 100 eurove për studentët që plotësojnë kriteret, ngjashëm siç kanë qenë masat gjatë viteve të mëparshme, dhe ky veprim parashihet të ketë koston rreth 6 milionë euro që pritet të sigurohen nga Pako e Ringjalljes Ekonomike”, tha Murati.
Ministri theksoi se për formën e aplikimit dhe datat e ekzekutimit do të njoftohen në vijim.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se përveq ndarjes së 100 eurove, studentët që janë në nivelin bachelor do të përfitojnë edhe bursën për mobilitet.
“Tashmë e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me qytetaret. Sepse kur rritja ndahet ajo shumohet. Kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri, rritet kërkesa agregate në ekonomi. Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike sot e miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për të gjithë studentet që i plotësojnë kriteret. Mbështetja për studentë nuk mbaron me kaq. Sot do të miratojmë edhe bursën e mobilitetit për studentet bachelor. Shuma e mbështetjes do të varet nga distanca nëpërmjet vendbanimit dhe vendit ku studioni”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se të hyrat buxhetore kanë shënuar rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin paraprak.