Familja Fejzullahu nga Tetova menaxhon rreth 300 rrënjë qershi, por përballet me vështirësi të mëdha jo vetëm për shitjen, por edhe për vjeljen, për shkak të mungesës së krahut të punës. Bujku Vehap Fejzullahu thotë se nga kjo veprimtari nuk ka më leverdi. Aq e rëndë është situata, saqë vëllai i tij tashmë është larguar nga shteti, ndërsa së shpejti do të largohet edhe ai vetë, duke e lënë tokën vetëm në duart e babait të moshuar.
“Afërsisht kemi diku te 300 rrënjë të mbjella. Treg nuk ka, nuk shitet, nuk shkon, çmimi ka rënë poshtë. Prej punëtorëve nuk ka për t’i mbledhë. Këto janë të gjitha. Sivjet s’kemi pasur ndihmë, s’kemi pasur asgjë, s’na kanë ndihmuar asgjë. Ne i kemi bërë kushtet të gjitha, me të korrat, me të rriturat, me spërkatje, me mirëmbajtje, prapë kur vjen puna te puna po prishet… Sivjet ka prodhim, por s’ka çmim. Çmimi me shumicë ka qenë 50 denarë. Momentalisht veç babai dhe unë po merremi, vëllai ka ikur, unë do të shkoj… Të gjithë të rinjtë që kemi qenë, që kemi punuar bashkë, nuk ka askush. Askush s’punon më në këtë fushë, do të mbetet kjo krejt e shkretë”, tha Vehap Fejzullahu, bujk.
Për të parë nga afër këtë situatë, por edhe për të vizituar një fermë pulash dhe bagëtish, këtë familje e vizitoi zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha. Sipas tij, qëllimi i këtyre vizitave në terren është njohja e drejtpërdrejtë me hallet e bujqve dhe blegtorëve, me qëllim përshtatjen e masave dhe programeve mbështetëse.
“Qoftë për zhvillim rural, qoftë ato për pagesa direkte – që me qëllim që edhe jeta, edhe puna e tyre të bëhet më e lehtë. Për ne, përveç fushës së pemtarisë apo edhe për blegtorinë, përveç pagesave direkte të rregullta, neve ofrojmë ndihmë edhe përmes Programit Nacional për Zhvillim Rural, por edhe programit për mbështetje financiare”, deklaroi Albrim Hoxha, zëvendësministër i Bujqësisë.
Kujtojmë që në vitin 2024, pemët në rajonin e Pollogut u dëmtuan rëndë nga ngricat, ndërsa në vitin 2025 nga breshëri, gjë që la bujqit pa asnjë prodhim, ndërsa çmimi i qershive në treg asokohe shkoi deri në 250 denarë për shkak të mungesës. Sipas bujqve, zgjidhja afatgjatë që shteti duhet të bëjë është ndalimi i importit nga jashtë në kohën kur dalin prodhimet vendore, në mënyrë që atyre t’u mundësohet shitja e produktit vendas.
