Qentë endacak në Tetovë, Kasami: Dyshojmë se po i sjellin nga Kumanova dhe Shkupi

TË FUNDIT

Këtë video në të cilën qytetari tetovar sulmohet nga qentë, kryetari i Tetovë e quan të pa vërtetë dhe tendencioze.

 “Plasimi i informacioneve tendencioze, krijim i një imazhi të pavërtetë që rezulton me huti në opinion. I tillë është edhe rasti i disa ditëve më parë  ku në një video në të cilën nuk vërtetohet ku personi është sulmuar nga qentë, i ka provokuar qëllimisht, apo është gjetur  realisht në një situatë të vështirë”, tha Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.

Për Kasamin, problemi me qentë endacakë  është problem nacional dhe sipas tij,  qentë sillen nga qytete tjera të Maqedonisë.

“Është përgjegjësi e institucioneve shtetërore, është përgjegjësi e policisë për sjellje të automjeteve, veturave,  dhe kontrolli i tyre, se a bartin edhe çfarë bartin aty. Ne kemi dyshime të bazuara dhe të raportuara nga qytetarët se natën në periferi të qytetit sjellin me automjete me targa të Kumanovës edhe të Shkupit dhe qyteteve tjera, dhe i sjellin në Tetovë”, deklaroi Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.

Rinisa Rexhepi nga shoqata “Amos Pet” pranoi se nuk kanë strehimore dhe se qentë endacak që kapen fillimisht dërgohen nëpër shtëpi private, deri sa t’u gjendet strehim.

 “Si strehimore nuk duhet të jemi të regjistruar dhe nuk kemi thënë deri tani se jemi të regjistruar askund. Ne jemi shoqatë për mbrojtjen e kafshëve dhe qentë i dërgojmë në fostera apo në shtëpi të përkohshme të cilat na mundësojnë t’i mbajmë qentë aty deri sa t’i gjejmë vend rehabilitimi apo vend jashtë shtetit tonë”, tha Rinisa Rexhepi nga “Amos Pet”.

Por as Kasami edhe as shoqata Amos Pet deri tani nuk janë përgjigjur në pyetjen se kush janë mjekët veteriner që trajtojnë qentë endacakë.