Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, përmes promovimit të “Qendrës së Burimeve”, do të përpiqet të vendosë rend edhe në borxhet e larta të komunave. Të dhënat tregojnë se për gjysmën e vitit borxhet e komunave dhe ndërmarrjeve publike komunale janë rritur ndjeshëm. Sipas Ministrisë së Financave, gjatë periudhës mars–shtator borxhet e komunave u rritën me rreth pesë milionë euro, duke arritur në 68,4 milionë euro, ose 7,84% më shumë. Po ashtu, borxhet e ndërmarrjeve publike komunale janë rritur me mbi 18,5 milionë euro, duke arritur afërsisht 130 milionë euro, ose rreth 17% më shumë se në mars.
Borxhet e komunave 2025:
Q1 Mars 2025: 63,434,981.54 EUR
Q2 Qershor 2025: 64,725,137.87 EUR (+2,04%)
Q3 Shtator 2025: 68,407,874.24 EUR (+7,84%)
Borxhet e ndërmarrjeve publike komunale 2025:
Q1 Mars 2025: 111,395,968.85 EUR
Q2 Qershor 2025: 107,600,678.03 EUR (-3,41%)
Q3 Shtator 2025: 129,987,606.52 EUR (+16,69%)
Borxhet totale komunale dhe ndërmarrjeve publike 2025:
Q1 Mars 2025: 174,830,950.39 EUR
Q2 Qershor 2025: 172,325,815.90 EUR (-1,43%)
Q3 Shtator 2025: 198,395,480.76 EUR (+13,48%)
Zgjidhja për borxhet, sipas Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, shihet në “Qendrën e Burimeve”, e cila do t’i ndihmojë komunat në qeverisje të përgjegjshme, veçanërisht në menaxhimin e financave dhe mbledhjen e taksave lokale.
“Çfarë mund të premtoj si pushtet qendror është ajo se duke filluar nga viti 2026, do t’u vendosim në dispozicion bazat e të dhënave të azhurnuara të tatimpaguesve për komunat, për të mundësuar mbledhjen më efektive të burimeve të tyre. Përgjegjësia për menaxhimin e buxheteve mbetet tek kryetarët e komunave”, tha Zlatko Perinski, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.
Sipas Perinskit, këto baza do të jenë falas për të gjitha komunat dhe nëse deri në vitin 2028 tatimet burimore nuk do të mblidhen, komunat do të kufizohen në përdorimin e fondeve nga buxheti qendror dhe nuk do të marrin subvencione apo ndihmë tjetër.
“Buxhetet dhe shifrat janë një gjë, por politika është e rëndësishme. Çdo reformë dhe mbështetje duhet të shoqërohet me politika për ndryshim – ndryshim në mënyrën e punës, në statutin e tyre dhe disiplinën financiare. Qendra nuk do të jetë e gjithëpushtetshme; mbështetja vjen paralelisht me monitorimin dhe udhëzimin e komunave”, shtoi Borçe Trenovski, Profesor Universitar dhe ideatori i Qendrës së Burimeve.
“Qendra e Burimeve” është konceptuar si një pikë qendrore që bashkon interesat e të gjitha komunave dhe koordinon bashkëpunimin me institucionet qendrore, përfshirë monitorimin e ndihmës së huaj, dhe synon të përmirësojë bashkëpunimin ndër-komunal, i cili aktualisht nuk është në nivel të kënaqshëm.
