“Rritje e efikasitetit për kontroll të përbashkët në pikën kufitare Qafë Thanë”.
Kështu quhet projekti me të cilin qeveria amerikane po ndihmon administratat doganore të RMV-së dhe Shqipërisë, për të zhvilluar një pikë të përbashkët të kalimit kufitar. Synimi është shkurtimi i pritjeve për eksportuesit e mallrave.
Ambasadorja amerikane në Maqedoni, Kate Marie Byrnes, tha se krijimi i pikave të përbashkëta doganore, është hap i rëndësishëm drejt BE-së.
“Kjo pikë kufitare është një shembull i rëndësishëm, sepse është në Korridorin 8, një drejtim strategjik që e lidh rajonin nga Deti i Zi deri në Durrës, nga një vend anëtar e BE drejt aspiratave për anëtarësim në Union. Korridori 8 është prioritet për qeverinë e RMV, dhe duhet të shihet edhe si prioritet për rajonin. Me investimin dhe ndërtimin e kësaj infrastrukture të rëndësishme dhe me rritjen e bashkëpunimit në këtë pikë kufitare, Maqedonia dhe Shqipëria do të kenë përfitime shtesë sepse do ta ulin kohën e pritjes në këtë pikë kufitare”, tha Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Kejt Bërns.
Ambasadorja amerikane në Shqipëri Juri Kim u shpreh se ndihma e SHBA-së po e bën rajonin më të sigurt.
“Jam këtu për të theksuar se si ndihma e SHBA po e bën Ballkanin Perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më miqësor ndaj biznesit. Jo shumë kohë më parë kufijtë kanë qenë si mure, sidomos në këtë rajon, nën pretekstin e sigurisë kombëtare duke ndarë njerëzit, duke penguar tregtinë, besimin e ndërsjellë. Ndërsa sot qëndrojmë në një kufi që është jo vetëm më i sigurt, por synon të sjellë njerëzit më pranë dhe të çojë përpara integrimin paqen dhe begatinë. Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në një pikë kthese drejt anëtarësimit në BE, dhe SHBA e mbështet këtë qëllim”, shtoi Juri Kim – Ambasadore e SHBA-së në Shqipëri.
Për këtë bashkëpunim USAID ka dhënë 100 mijë dollarë për pajisje për doganierët shqiptarë dhe ata të Maqedonisë së Veriut.
