Putin ‘kriminel lufte’, Blinken: Personalisht, pajtohem me këtë konstatim

TË FUNDIT

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka deklaruar të enjten se është dakord me cilësimin e presidentit Vladimir Putin si ‘kriminel lufte’, teksa trupat ruse vazhdojnë të bombardojnë mbi zonat e banuara nga civilët në Ukrainë.

“Ata kanë shtuar bombardimet me qëllimin për të thyer vullnetin e popullit. Dje, Presidenti Biden tha se sipas tij, janë kryer krime lufte në Ukrainë. Personalisht, jam dakord. Shënjestrimi i qëllimshëm i civilëve është krim lufte. Më duket e vështirë të arrihet në përfundimin se rusët po bëjnë të kundërtën. Pasojat e luftës së Moskës po ndihen në  mbarë botën”, tha ai.

Ai tha se ekspertë amerikanë po mbledhin prova për të vlerësuar krimet e mundshme të luftës që kanë ndodhur gjatë tri javëve të fundit.

“Do të sigurohemi që gjetjet tona të ndihmojnë përpjekjet ndërkombëtare në hetimin e krimeve të luftës dhe personat përgjegjës të japin llogari”.

Blinken shtoi se nuk ka parë ndonjë përpjekje nga ana e Rusisë për t’i dhënë fund luftës përmes mjeteve diplomatike.