Putin: Jemi të përgatitur për kompromise me Ukrainën

TË FUNDIT

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia është e përgatitur për negociata me Ukrainën.

Në fjalimin e tij të fundvitit, ai madje ka shtuar se është i përgatitur për kompromis, raporton BBC.

I pyetur nëse ishte i përgatitur të bënte kompromis “në çfarëdo mënyre” për Ukrainën, ai është përgjigjur se “politika është arti i kompromisit”

Ai ka pretenduar se Ukraina ka refuzuar të zhvillojë negociata, raporton BBC.

Putini ka thënë se ata arritën një marrëveshje në Stamboll në vitin 2022, për të cilën ai thotë se Ukraina ra dakord, por më pas u tërhoq.

Sipas tij, kjo ka ndodhur sepse ish-kryeministri britanik, Boris Johnson udhëtoi në Ukrainë dhe tha “ata duhet të luftojnë deri në ukrainasin e fundit”, gjë që sipas tij, Kievi po e bën tani.

Bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës janë mbajtur në Stamboll në vitin 2022, ku u negociua një projekt-marrëveshje Rusi-Ukrainë. Raportet thonë se Kremlini i kërkoi Ukrainës të heqë dorë nga Krimea dhe rajoni i Donbasit, të zvogëlojë ushtrinë e saj dhe t’i japë fund planit të saj për të hyrë në NATO – kërkesa të paimagjinueshme për shumicën e ukrainasve.

Boris Johnson kishte deklaruar në shtator 2022 se “çdo marrëveshje apo kompromis i tillë do të dërgonte një sinjal në mbarë botën se dhuna shpërblehet”.