Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska deklaroi se pushteti nuk këmbëngul që Katica Janeva të vazhdojë të jetë Prokurore Speciale
“Kur ne si grupe pune të ministrisë dhe partive politike flasim rreth ligjit aspak nuk e përmendim Katica Janevën. Për ne nuk është në interes të bisedojmë se kush do të jetë Prokuror Publik Special, kjo asnjëherë s’ka qenë lëndë debati dhe nuk na intereson. Ligji përmban zgjidhje parimore, cilat janë kushtet për t’u zgjedhur për prokuror special publik e kush për prokuror publik të Maqedonisë”, tha Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.
Nga opozitarja VMRO-DPMNE thonë se tani pushteti e ka kuptuar paaftësinë e Katica Janevës.
“Deskoska pranoi se Katica Janeva në fakt nuk ka kapacitet të udhëheqë me këtë institucion dhe nuk mjafton fakti se Katica Janeva nuk do të jetë më, përkatësisht nuk insistojnë të jetë në krye të PPS-së. Duhet të hapen hetime serioze dhe akuza serioze për të gjitha dyshimet e saj, të gjitha dyshimet për punën e prokurorëve të PPS-së, për punën e Katica Janevës dhe për punën e PPS-së si institucion dhe për paratë e shpenzuara gjatë viteve të fundit”, theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Pas disa takimeve të dështuara mes pushtetit dhe opozitës, tani këta të fundit kanë njoftuar se kanë formuar tre grupe pune me profesionistë të fushave të ndryshme që do të japin propozimet e tyre për tekstin e ri të projektligjit për Prokurorinë, kur duhet të përcaktohet edhe fati i Prokurorisë Publike Speciale. Ministrja Deskoska tha se do të marrin parasysh propozimet që do të përmirësojnë tekstin, por jo edhe ato propozime që sipas saj mund të përmbajnë amnisti të fshehur.
Përgatiti: Besir Arifi
