Deputetët e pushtetit dhe opozitës as sot nuk u dakorduan rreth sjelljes së Ligjit për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve dhe për këtë arsye seanca për këtë ligj u shtye, kurse e njëjta do të vazhdojë pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor. Lupço Prenxhov nga GROM (Opsioni qytetar i Maqedonisë), partia e cila është në koalicion me VMRO-DPMNE edhe sot doli me vërejtje se vendoset flamur evropian me qëllim që ligji të kalojë pa debat. Siç shtojnë, teksti nuk është harmonizuar me rregulloren evropiane.
“Në këtë ligj nuk shkruan me cilën rregullore harmonizohet me Bashkimin Evropian. Nuk ka një gjë të tillë dhe normalisht si deputetë të opozitës kërkojmë procedurale. Pas procedurales së parë nuk na ishte lejuar të flasim, na ishin tërhequr proceduralet dhe menjëherë ishte vendosur në votim, si do të thoshte LSDM-ja nga përbërjet e mëparshme, në mënyrë kontrabandiste”, tha Lupço Prenxhov nga GROM.
Kryetarja e Komisionit për Sistem Politik, Sonja Mirakovska thotë se procedura për sjelljen e këtij ligji po shtyhet, sepse siç theksoi, nuk do të lejojë që opozita të bëjë marketing politik. Nëse nuk munden ta bllokojnë me amendamente, këtë e bëjnë me vërejtje procedurale, vetëm që të mos përcaktohet rendi i ditës, shton Mirakovska.
“Kërkesa e tyre procedurale nuk kishte të bënte me procedurën. Erdhën me qëllim që Komisioni të mos funksionojë, gjegjësisht të mos punojë. Në fakt, tashmë një periudhë më të gjatë kohore jemi dëshmitarë se me mijëra amendamente e pengojnë Komisionin dhe e shfrytëzojnë çdo mundësi që ta bëjnë këtë. Erdhën me bilbila në Komision. Rendi i ditës nuk është përcaktuar. Sot duhej të ishte dita e dytë, por do ta shtyjmë procedurën pas datës 17, sepse me të vërtetë nuk është në rregull që në këtë periudhë foltorja të shfrytëzohet për marketing politik”.
Tashmë një periudhë më të gjatë shumica qeverisëse ankohet se opozita e bllokon dhe pengon punën e Kuvendit, duke dorëzuar shumë amendamente për çfarëdo qoftë ligji. Pas kësaj, nga Qeveria në shtëpinë ligjvënëse dërgohen ligje me flamurin evropian, që do të thotë se do të sillen me procedurë të shkurtuar, gjegjësisht pa marrë parasysh sa amendamente janë dorëzuar, debati do të zgjasë vetëm tri ditë. Tani për tani, në Kuvend ka 46 ligje me yll evropian.
