Rreth 50 të punësuar në Klinikën e Fëmijëve të cilët nuk i kanë marrë rrogat e 6 muajve të fundit dhe ende janë me status të parregulluar janë ende pa përgjigje nga institucionet. TV21 kontaktoi me përfaqësues të tyre, të cilët na thanë se ende nuk kanë ndonjë informacion nga Ministria e Financave, ku edhe protestuan dhe zhvilluan takim javën e kaluar. Nuk deshën të flasin para kamerës për shkak se këtë do ta bëjnë nesër në protestën e radhës, kësaj here para Ministrisë së Shëndetësisë. E i pyetur për hallin e tyre, Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se nuk mund të kthehen dhe t’i zgjidhin problemet nga janari e këndej.
“Do të mundohemi ta zgjidhim edhe në Klinikën për Fëmijë por në mënyrë retroaktive nuk mund të zgjidhen problemet. Problemet duhet të projektohen dhe të zgjidhen në formë afatgjate në këtë rast për një vit, e dini që viti fiksal fillon nga janari dhe mbaron në 31 dhjetor, pra nuk mund të kthehemi retroaktiv të zgjidhim problemet nga janari e këndej”, tha Azir Aliu.
Drejtori i klinikës Rexhep Memedi i tha TV21 se të punësuarit tash nuk janë duke shkuar në punë. Klinika Universitare për Sëmundje të Fëmijëve ishte përballur me mungesë stafi, arsye për të cilën në fund të vitit 2025 kishte realizuar punësime, ku me pëlqim të Ministrisë së Financave ka angazhuar edhe personel mjekësor, administrativ dhe teknik me kontratë në vepër.
“Në dhjetor 2025 Klinika e Fëmijëve përmes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit Shëndetësor ka dërguar Kërkesë zyrtare deri te Ministria e Financave për vazhdimin e pëlqimeve për vitin 2026 për të punësuarit me kontratë në vepër. Në Prill të këtij viti Klinika e fëmijëve pranoi përgjigjen negative nga Ministria e Financave për mos vazhdim të kontratave”, tha Rexhep Memedi.
Përndryshe, rreth 50 të punësuar në Klinikën e Fëmijëve para disa ditësh protestuan para Ministrisë së Financave, duke kërkuar pagesën e gjashtë pagave të prapambetura, vazhdimin e kontratave të punës dhe zgjidhjen e statusit të tyre. Protestën e radhës e paralajmëruan për nesër, 12 qershor, përballë Ministrisë së Shëndetësisë.
