Punonjësit e Klinikës së Fëmijëve protestojnë për pagat e papaguara! Ministria Aliu: S’ka pagesa retroaktive, drejtorët të mos japin shpresa të rrejshme

TË FUNDIT

Punonjësit e Klinikës së Fëmijëve, të cilët nuk kanë marrë paga që nga janari, protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar zgjidhje për statusin e tyre të punës dhe pagesat e prapambetura.

Thanë se kishin takim me Ministrin e Shëndetësisë për të folur për punësimet e tyre dhe pagat, por deri sot nuk ishin pranuar. E përgjigje ende nuk kanë marrë as nga Ministria e Financave, para së cilës protestuan javën e kaluar.

“Shefja e kabinetit dhe nuk e di kush ishte na thanë se me problemin e juve do të merremi më shumë prej të hënën java që filloi deri tani nuk kemi asnjë informacion. Ministri para 2-3 ditëve na tha që jemi vullnetarë, por ne në fakt nuk kemi nënshkruar asnjë dokument që jemi vullnetarë”, tha Samir Nuhi – punonjës në Klinikën e Fëmijëve.

“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk është hera e parë që ndodh kjo; situata të tilla janë përsëritur prej vitesh. Ka pasur raste kur janë vonuar mjetet financiare dhe çështje të tjera të ngjashme, por në fund të ditës ne gjithmonë jemi paguar. Tani përgjegjësia po bartet nga njëra palë te tjetra”, u shpreh Sedat Bushi – punonjës në Klinikën e Fëmijëve.

Gjatë protestës u ftuan në takim nga Ministri i shëndetësisë në hapësirat e ministrisë. Pas takimit ministri Azir Aliu deklaroi se nuk mund t’u jepen pagat në mënyrë retroaktive, pasi nuk e lejon ligji. U bëri thirrje drejtorëve të institucioneve shëndetësore publike që të mos japin premtime pa pasur mbulesë administrative dhe mos të japë shpresa të rrejshme tek punonjësit.

“Për fat të keq këto të punësuar nuk kanë pëlqim pozitiv nga institucionet shtetërore për shkak se drejtorët, administrata dhe drejtorët bëjnë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe pastaj ne në Ministrinë e Financave me qëllim që të definohet buxheti për vitin fiskal, d.m.th definimi i buxhetit për vitin fiskal bëhet në janar dhe ai zgjat deri 31 dhjetor. Edhe në 2026 ka pasur punësime të reja në këtë klinikë, nëse nuk gaboj kanë qenë 28 punësime të cilat janë mbuluar”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Përndryshe, Drejtori i Klinikës Universitare për Sëmundje të Fëmijëve, Rexhep Memedi, dje i tha TV21 se Klinika ishte përballur me mungesë stafi, arsye për të cilën në fund të vitit 2025 kishte realizuar punësime, ku me pëlqim të Ministrisë së Financave ka angazhuar edhe personel mjekësor, administrativ dhe teknik me kontratë në vepër, por sipas tij, në prill 2026 viti është marrë përgjigje negative nga Financat për mosvazhdimin e kontratave.


Përndryshe, pa kontrata pune dhe pa paga kanë ngelur rreth 50 punonjës në institucion, ku shumica prej tyre nuk shkojnë më në punë, ndërsa një numër i vogël vazhdojnë me shpresën që do t’u rregullohet kontrata.