Punimet në Drugovës nuk kanë filluar, banorët të zhgënjyer, kërkojnë asfaltimin e rrugëve

TË FUNDIT

Në muajin shtator duhej të fillonin punimet për ndërtimin e rrugëve në fshatin Drugovë të Kërçovës.
Kështu deklaroi vet kryetari Fatmir Dehari gjatë muajit gusht.

“Mendoj se nga ky muaj, pra muaji shtator deri në qershor të vitit të ardhshëm, jo vetëm një rrugicë që është kërkesë me prioritet por edhe disa rrugica tjera”, theksoi Fatmir Dehari – Kryetar i Komunës së Kërçovës.

Por gjendja e fshatit Drugovë i cili është vetëm dy kilometra larg qytetit, është e njëjtë si muaj më parë kur raportoi TV21.

Mbeturinat në hyrje të fshatit ishin në të njëjtin vend, ndërsa punimet për rrugët nuk kanë filluar.
Banorët shprehen të indinjuar nga kjo situatë dhe mosrealizimi i premtimeve.

“Në shtatorë tha do të fillojnë punimet në fakt ai asgjë nuk ka bërë. Nga kryqëzimi deri tek kryqëzimi tjetër e gjitha është katastrofë. E lusim kryetarin të filloi të ndërmarrë masa, sot nesër, sot nesër në fakt ai asgjë nuk ka bërë”, u shpreh një banor.

Edhe kanalizimi vazhdon të rrjedhë rrugëve të fshatit, sa i takon kësaj çështje Dehari tha se ka ndarë mjete për kanalizimin por banorët duhet ti zgjidhin çështjet pronësore juridike, që të mund të fillojë realizimi i projektit të kanalizimit në këtë fshat.