Një pjesë e madhe e punëtorëve në Ndërmarrja Publike Komunale – Tetova, tash e një vit kanë mbetur pa sigurim shëndetësor. Shkak për këtë, sipas drejtuesve të ndërmarrjes, është niveli i ulët i pagesës së faturave nga qytetarët. Drejtori Samet Bislimi deklaroi se për një pjesë të punëtorëve obligimet janë shlyer, ndërsa për pjesën tjetër pritet mbështetje nga komuna.
“Viti 2025 është i kompletuar me kontribute dhe sigurim, dhe janar 2026 janë paguar kontributet sigurimi dhe rroga. Kanë ngelur foliot e 2024 kontributet dhe sigurimi shëndetësor, pra shifra është rreth 30 milion denar dhe jemi duke punuar që këtë muaj t`i realizojmë. Për rrogat, jemi duke përgatitur muajn shkurt dhe e dini që jemi të bllokuar dhe punojmë me limit dhe paguajmë rrogat e kontributet, andaj këto ditë presim të marrim rrogën për shkurtin”, tha Samet Bislimi – drejtor i NPK “Tetova”.
Meqë ndërmarrja nuk arrin vetë t’i mbulojë këto shpenzime, Komuna e Tetovës ka ndarë mjete për pagesën e kontributeve dhe pagave të prapambetura. Kryetari i komunës, Bilall Kasami, ka paralajmëruar një zgjidhje më afatgjate për situatën në ndërmarrje.
“Ne jemi duke rregulluar përfundimisht çështjen me kontributet dhe pagat e NPK-së që ta kthejmë në normalitet. Unë besoj që brenda këtij muaji, punëtorët e NPK-së do marrin paga dhe me kontribute që nënkupton pastrim të gjitha kontributeve të vonuara dhe pastaj të gjejmë një zgjidhje afatgjate për qëndrueshmërinë e kësaj ndërmarrjeje”, u shpreh kryetar i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Borxhi i Ndërmarrjes Publike i akumuluar prej më shumë se dy dekada arrin disa milionë euro.
