Askush nuk guxon ta kontestojë të drejtën e punëtorit për të vendosur nëse do të vaksinohet ose jo. Aq më pak punëtorët nuk duhet të paguajnë vetë për teste PCR dhe mosvaksinimi të mos jetë arsye për largim nga puna. E diela të jetë pushim. Paga minimale të jetë 60% e pagës mesatare, ndërsa me këtë të ketë edhe rritje spirale të pagave të tjera në përputhje me marrëveshjen kolektive. Pagesë e regresit për të gjithë punëtorët. Këto janë një pjesë e kërkesave të Lidhjes së Sindikatave që u thanë në protestën e sotme, e cila u mbajt edhe përkundër reshjeve të shiut.
“Këtu jemi jo vetëm nga sektori privat por edhe nga ai publik, presim që së shpejti sektori publik të marrë regres për pushimin vjetor. Nuk duhet të vlejë vetëm për sektorin privat. Rritja e pagave në arsim, të mos harrojmë ata kolegë që nuk mund të punësohen me marrëveshje të pacaktuar në sektorin publik”, deklaroi Ivan Peshevski, nënkryetar i sektorit privat.
Protesta filloi para ndërtesës së LSM-së, vazhdoi drejt Kuvendit, e më pas edhe drejt selisë së Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë dhe Odës Ekonomike, ku duhej të dorëzohen kërkesat nga protestat. Në ndërkohë përfaqësuesit e LSM-së, u pranuan në Kuvend nga ku dolën me lajme të mira.
“Na pranuan përfaqësuesit e shumicës parlamentare, morëm premtim se që javën e ardhshme do të votohet zgjidhja ligjore që të gjithë punëtorët që punojnë të dielave të marrin 50%, ndërsa të gjithë të tjerët do të pushojmë dhe do t’i përkushtohemi familjeve dhe do të kemi paqe sociale. Zgjidhja ligjore që e propozoi LSM në pjesën e pagës minimale nuk do të bojkotohet por kanë frikë nëse parashtrohet ndonjë amendament, për shkak se e dimë se edhe ditëve të kaluara jo të gjithë deputetët mbështesin rritjen e pagave”, tha Darko Dimovski, kryetar i LSM-së.
Pas kësaj, protesta përfundoi dhe nuk vazhdoi drejt Qeverisë. Në periudhën e ardhshme, varësisht rezultateve të bisedimeve, nga LSM thonë se do të thirrin grevë të përgjithshme që do të vazhdojë përmes shprehjes së formave të ndryshme të pakënaqësisë së punëtorëve në mënyrë të përcaktuar nga bordi i grevës.
