Punëtorët e “Higjienës Komunale” vazhdojnë protestën / Të revoltuar me drejtoreshën, kërkojnë largimin e saj

TË FUNDIT

“Do të dalim vetëm nëpër spitalet e shtetit do t’i mbledhim mbeturinat për qytetarët që janë nëpër spitale dhe do të kthehemi përsëri me revoltën që e kemi filluar”.

Derisa spitalet do të pastrohen, pjesët tjera të qytetit të Shkupit vazhdojnë të kundërmojnë nga era e mbeturinave të pa mbledhura.

Punëtorët e “Higjenës Komunale” vazhdojnë protestën e tyre që e filluan nga e premtja në shenjë revolte për paga më të larta e kushte më të mira.

“Në kemi kërkuar rritje të rrogave, kemi kërkuar kushte për punëtorët, kemi kërkuar K-15, kemi kërkuar stazh me benefite për punëtorët dhe shoferët sepse e punojmë punën më delikate në qytet, punën me mbeturina”, tha Naser Bilalli, i punësuar në “Higjienën Komunale”.

Por thonë se kërkesat e tyre po hasin në vesh të shurdhër sepse sapo drejtojnë ndonjë kërkesë deri te drejtoresha e “Higjienës Komunale” Kosana Mazneva, ajo menjëherë i pushon nga puna.

“Ajo nuk përgjigjet në kërkesat tona, duke i bërë këto kërkesa ajo i largon njerëzit nga puna. Javën e kaluar patëm një kërkesë, ajo nuk na u përgjigj, na refuzoi dhe mbas 3 ditëve i përzë nga puna 40 veta”, u shpreh më tej Bilalli.

Punëtorët nuk janë të kënaqur as me sjelljen e drejtoreshës. Thonë se i nënçmon dhe i kërcënon.

“Na thotë ju jeni për mbeturina, nuk jeni për revoltë. Ju jeni vetëm mbledhës mbeturinash, asgjë s’jeni tjetër. Kaq shumë na ka ulur poshtë”.

“Na ka thanë se ka hajdutë. Kjo është turp të thuhet sepse askush nuk fut zorrë në gojën për të vjedhur naftë ose vaj. Askush nuk e bën këtë për 50 denarë. Nuk na ka lënë mendja”.

“Që në ditën e parë kur ka ardhur nuk ju ka thënë punëtorëve as “mirëdita”. Unë personalisht “mirëdita drejtoreshë” dhe nuk ma ka kthyer as mirëditën. E di që as nuk më njeh dhe as se njoh, por është respekt të thuhet mirëdita”, u shpreh Fuat Shaqiri, i larguar nga puna.

Drejtoresha e Ndërmarrjes Kosana Mazneva, dje tha se punëtorët po shkaktojnë probleme artificiale të motivuara politikisht dhe mbrëmë bashkë me policinë ka kërkuar nga protestuesit që të kthehen menjëherë në punë, pas çka ka hasur edhe në kundërshtimin e punëtorëve.

“Do të flasim të hënën, sot procesi i punës duhet të vazhdojë që sonte.
-Jo, jo. Aspak nuk do të vazhdojmë punën”, tha Mazneva.

Për shkak të sjelljes se Maznevës, punëtorët nuk do të heqin dorë deri sa ajo të jep dorëheqje dhe të largohet nga “Higjena Komunale”. E kërkesat e tyre për rritje të pagës për 30% dhe kushtet tjera të punës do t’i kërkojnë nga udhëheqësia e re kushdo që të jetë. Mazneva dje deklaroi se një grup punëtorësh bëjnë vjedhje të naftës nga rezervarët e kamionëve dhe shesin pjesët rezervë të automjeteve të Higjienës komunale dhe pastaj i shënojnë si të amortizuara.