Publiku pret rihapjen e teatrove! Ende nuk dihet asgjë për punën e institucioneve kulturore

TË FUNDIT

Katër muaj në pasiguri dhe pa punë ishin institucionet kulturore. Me shumë pyetje pa përgjigje dhe pa asnjë masë apo protokoll, sfera e kulturës dhe punëtorët e kulturës mbesin me trajtim, i cili është në shkallë të fundit të veprimtarive parimore. Për regjisoren Nella Vitosheviq, sjellja e tillë është e padrejtë, sepse siç thotë, edhe ata si të gjithë të tjerët, kanë qëndruar të izoluar dhe pa aktivitete, në pritje të ndonjë zgjidhjeje të cilën e meritojnë.

“Në një situatë kur e dimë se kafenetë po hapen, se bastoret dhe kazinotë tashmë punojnë, se palestrat funksionojnë, atëherë nuk shoh asnjë arsye pse të mos punojmë edhe ne. Nëse ka rekomandime shëndetësore dhe protokolle të përgatitura për të gjithë, atëherë duhet të ketë edhe për institucionet kulturore. Në qoftë se autoritetet kompetente përballen me problem dhe nuk e dinë si të zhvillohen ngjarjet kulturore, atëherë mendoj se nuk është turp të pyesin dhe të mblidhen ideja të ndryshme nga ekspertë nga sfera e kulturës, të cilët për çdo ditë merren me këtë problem dhe për momentin mendojnë për të ardhmen e të gjithëve në fushën e kulturës”, tha Nella Vitosheviq, regjisore.

Vitosheviq konsideron se shumë teatro kanë qëndruar të heshtur gjatë kësaj kohe të pandemisë dhe nuk arritën të paraqesin ndonjë përmbajtje teatrore eksperimentale, siç është shembull në të gjithë teatrot me famë botërore.

-“Kjo është një situatë zhgënjyese, sepse sipas meje, arti duhet të ketë përgjigje për realitetin e ri dhe në asnjë mënyrë nuk mund të mbetet vëzhgues i heshtur i situatës. Sepse, në fund të ditës, teatri pas pandemisë do të dalë si një përgjigje ndaj proceseve aktuale shoqërore, por edhe ndaj eksperimenteve në art që duhej të vijojnë në rrethanat e reja. Unë besoj se nuk është e lehtë për askënd, por mendoj se ne si profesionistë në teatër, duhet të tregojmë iniciativë më të madhe dhe të angazhohemi për realizim dhe krijim të përmbajtjeve të caktuara”, tha Nella Vitosheviq, regjisore.

Në përditshmërinë e re, e cila ishte sfidë për hulumtim dhe kërkim të formave të reja, regjisorja Vitosheviq para dy javëve promovoi projektin e saj. Bëhet fjalë për një shfaqje teatrore në të cilën pjesëmarrësit e kanë përgatitur derisa kanë qenë në izolim, gjegjësisht nga shtëpia pas fillimit të orës policore. Shfaqja “Iluzione” bazohet në dramën me të njëjtin emër, kurse ekipi i shfaqjes fare nuk është takuar derisa ka zgjatur procesi i përgatitjes.

Sipas Vitosheviqit, reagimet për shfaqjen kanë qenë pozitive, gjë që sipas saj, tregon se publiku është i etur dhe i uritur për art dhe se në këto kohëra krize, arti është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ta ngritur disponimin e njerëzve. TV21 kërkoi përgjigje edhe nga autoritetet kompetente lidhur me atë kur mund të pritet hapja e institucioneve kulturore, por nuk morëm përgjigje.