“Publikoni dosjen Epstein”, Trump ndërron mendje: Nuk kam gjë për të fshehur

TË FUNDIT

Presidenti amerikan Donald Trump ka nxitur republikanët në Kongres që të votojnë për publikimin e dosjeve të Jeffrey Epstein duke ndryshuar qëndrimin e mëparshëm ku bënte rezistencë.

Postimi i tij në Truth Social u bë pasi Mike Johnson tha se besonte që votimi i publikimit të dokumenteve të departamentin të drejtësisë për çështjen Epstein mund t’u japë fund aludimeve që “Trump ka gisht”.

“Republikanët e Kongresit duhet të votojnë për publikimin e dosjeve sepse ne s’kemi asgjë për të fshehur”, shkroi Trump në platformën e tij.

“Dhe ka ardhur koha të ecim përpara nga ky mashtrim i demokratëve, i shkaktuar nga të çmendurit radikalë të së majtës, me qëllim që të shmangin vëmendjen nga suksesi i madh i Partisë Republikane, përfshirë fitoren tonë të fundit mbi ‘fikjen’ e demokratëve”, tha ai.

Edhe pse Trump e Epstein janë fotografuar bashkë kohë më parë, presidenti ka deklaruar se marrëdhëniet mes tyre u prishën para se financieri të dënohej. Në email-et e publikuara javën e kaluar, thehej se Epstein besonte se Trump “e dinte për vajzat”, edhe pse nuk është e qartë çfarë nënkupton kjo.

Trump, i cili së fundmi i ka hedhur poshtë dosjet Epstein duke i cilësuar si fushatë e demokratëve për njollosje imazhi, më pas ka udhëzuar departamentin e drejtësisë që të hetojë lidhjet e tyre me financierin famëkeq.

Disa kritikë e kanë akuzuar Trump se po përpiqet të fshehtë detaje, gjë që ai e mohon, duke u përpjekur të bllokojë votimin që ka përçarë Partinë Republikane.

Të dielën, kongresmeni republikan Thomas Massie e sfidoi Trump nëse ai po bën një “përpjekje të fundit” që dosjet e plota Epstein të mos bëhen publike duke urdhëruar nisjen e një hetimi të ri.

Massie dhe kongresmeni demokrat Ro Khana që udhëheqin lëvizjen për të publikuar të gjitha dosjet, kanë shfaqur shqetësime për lëvizjet e fundit nga Shtëpia e Bardhë.

Në një intervistë në ABC, Massie kritikoi Trump për urdhrin ndaj Pam Bondi që të hetojë lidhjet e demokratëve me Epstein.

Të premten, Trump u tërhoq nga mbështetja ndaj Marjorie Taylor Greene të Georgia, një nga mbështetëset e tij më të flakta në Kongres, pas kritikave të saj ndaj disa çështjeve të patrajtuara si duhet nga republikanët, përfshirë dosjet Epstein.

Të shtunën, Khanna tha se pret që më shumë se 40 republikanë të votojnë pro publikimit. Republikanët janë mazhoranca ku përfaqësojnë 219 karrige, kurse demokratët 214.