Publikohet raporti i KE-së për RMV-në, Varhei ka vërejtur progres në reformat e vendit

TË FUNDIT

Progres stabil në pjesën e reformave, posaçërisht në sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar – ky është vlerësimi kryesor i eurokomisarit, Oliver Varhelji gjatë prezantimit të Raportit për reformat në vend para euro-deputetëve. Në konferencën për media, këtë pasdite, Varhei tha se debatet po vijojnë në Këshillin për propozim-kornizën e negociatave dhe pret që së shpejti të mbahet konferenca ndërqeveritare. Për problemin me Bullgarinë dhe sa ai do të paraqet pengesë për fillimin e negociatave, Varhelji tha se pret të gjendet marrëveshje e përbashkët.



“Punojmë bashkë me autoritetet e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ministri i jashtëm dhe zëvendëskryeministri javën e kaluar ishin me mua dhe në mënyrë të drejtpërdrejt i inkurajova që të angazhohen dhe të punojnë me fqinjët e tyre sepse kjo është në interes të përbashkët – të arrihet një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dyja palët”, deklaroi Oliver Varhei.

Duke folur për pakon investuese ekonomike, Varhelji tha se planifikohet rikuperim ekonomik prej gjithsej 29 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor.

 “Bëhet fjalë për projekt që peshon 9 miliardë euro me 10 iniciativa shtesë në fushën e ekonomisë për investim. Krijojmë një instrument të ri garantues ne çka do të rritet kapaciteti i rajonit dhe do të angazhohen 20 miliardë shtesë në investime publike dhe private”, potencoi Oliver Varhei.

Paraprakisht, edhe Ministri i punëve të jashtme theksoi se në nivel të lartë do të vendoset plotësimi i prioriteteve për anëtarësim në BE.


“Sundimi i së drejtës do të jetë një nga kapitujt e parë në këtë plan aksionar që duhet ta sjellë Qeveria, por edhe të gjitha obligimet e tjera në drejtim të përforcimit të kapacitetit të institucioneve demokratike dhe të funksionimit normal të shoqërisë”, u shpreh Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Nesër, një ditë pas publikimit të Raportit për progres të vendeve, euro komisari Varhelji, do ta vizitojë Maqedoninë dhe vendet e tjera të rajonit.