Videot dhe audio incizimet që ishin publikuar në kanalin Jutjub nën emrin “Alibaba Tredixhi”, Antonijo Milloshoski i shpërndau në profilin e tij në Fejsbuk, duke shkruar një pjesë e bisedës e cila dëgjohet në incizimit. Den Donçev: Zoki më dha leje. Dëgjoni se si Zaevi dhe Donçevi ishin ekip për zhvatje të kompanive, kurse ndihmë kanë marrë edhe nga avokati i Zaevit, Medarski. A ka pasur dijeni edhe Venkoja?, shkroi Milloshoski. Në njërën prej incizimeve me pseudonimin “Duar ngjitëse” – (leplivi race), dëgjohet se si gjoja avokati Medarski ka kërkuar të mos dërgohet inspektim te investitori të cilin e përfaqëson ai.
Përveç tre audio incizimeve, është publikuar edhe një video incizim në të cilën shihet se si Den Donçev bisedon me një person dhe në atë moment Zaevit gjoja i japin para. Zaev i hedh poshtë incizimet e këtilla duke i quajtur lajme të rrejshme që janë produkt i opozitës. Në mungesë të programit, VMRO-DPMNE manipulonte në të kaluarën, manipulon në të tashmen dhe do të manipulojë edhe në të ardhmen, u përgjigj Zaev.
Javën e kaluar në opinionin publik ishin lëshuar incizime në të cilat VMRO-DPMNE e akuzoi Zaevin se është përfshirë në rastin me avokatin Dimishkov dhe motrën e tij, gjykatësen Vesna Dimishkova të cilët gjoja kanë kërkuar ryshfet. Zaev edhe këto incizime i hodhi poshtë duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me to. TV21 u përpoq ta kontaktojë ish drejtorin e Fondit shëndetësor Den Donçev, por ai nuk është i qasshëm në celularin e tij.
