PSE RDK-JA MBETI PA MINISTRI? ZAEV: NUK ISHA I KËNAQUR, S’PRANUAN MINISTRI TJETËR

TË FUNDIT

Kryeministri Zoran Zaev i tha TV21 se nuk ka qenë i kënaqur me punën e Ministrit të vetëqeverisjes lokale Suhejl Fazliu, prandaj dhe e shkarkoi nga posti. Megjithatë Zaev shton se i ka propozuar kreut të RDK-së Vesel Memedit një ministri pa resor.

“E shkarkova sepse nuk jam i kënaqur nga rezultatet e Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale. Gjithsesi se disa herë kemi biseduar. Janë të informuar. Por për fat të keq nuk pranuan propozim alternativ, Ministër për rregulloren për përmirësimin e investimeve të kompanive vendore, në vend të Shapuriqit”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Kontaktuam edhe me kreun e RDK-së Vesel Memedi, por na tha se nuk dëshiron të japë asnjë deklaratë dhe se këtë do ta bëjë të mërkurën. E Ministri i shkarkuar Fazliu e konsideron të padrejtë vendimin e Kryeministrit.

“Personalisht qëndroj prapa deklaratës së djeshme të partisë dhe kryetarit Vesel Memedi. Përshtypja ime e parë është se këto ndryshime nuk janë serioze dhe të shumëpritura nga qytetarët, me të vërtete e kënaqin pjesën e nëntokës por e zhgënjejnë mbarë popullin që është në pritje të ndryshimeve rrënjesore të kthimit të sundimit të ligjit drejtësisë dhe rahatisë ne çdo familje të prekur nga zullumi i madh shumëvjeçar dhe ngritjes së shtetit dhe institucioneve shtetrore në nivelin e dëshiruar juridik”, u shpreh Suhejl Fazliu, ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Pas shkarkimit të Fazliut dje reagoi RDK-ja nga ku thonë se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale u takon atyre ndërsa kryeministri vendimin e ka sjellë pa pajtueshmërinë e partisë së Vesel Memedit, nga ku gjithashtu e konsiderojnë të dëmshëm veprimin e Zaevit që këtë ministri të ia japë një partneri të brendshëm të LSDM-së, me të cilën ka probleme të brendshme.

Në vend të Fazliut, ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale tani do të jetë Goran Milevski, deputet dhe njëherazi kryetar i Partisë Liberaldemokaratetë Maqedonisë.

Përgatiti: Besir Arifi