Provimi i jurisprudencës në shqip! BDI akuza Ministrisë së Drejtësisë – Rokas: Të zgjidhet me dialog, pa politizim

TË FUNDIT

Opozitarja BDI akuzon Ministrinë e Drejtësisë për shkelje penale për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, në lidhje refuzimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kanita Ramadani nga kjo parti tha se ligji është i qartë dhe pengimi i tij ka pasoja juridike. Sipas integristëve, pengimi i zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe personave përgjegjës përbën bazë për përgjegjësi penale për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.

“Kërkojmë nga Inspektorati për përdorimin e gjuhëve që menjëherë të konstatojë shkelje dhe të iniciojë procedura për kundërvajtje ndaj ministrisë së drejtësisë dhe personave përgjegjës. Kërkojmë nga Prokuroria Publike që të vlerësojë ekzistencën e elementeve për ndjekje penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, moskryerje të detyrës zyrtare dhe nxitje të mosdurimit ndëretnik. Kërkojmë përgjegjësi personale nga Ministri i Drejtësisë për çdo vendim ose mosveprim që pengon zbatimin e ligjit”, tha Kanita Ramadani nga BDI.

Për provimin e jurisprudencës u pyet edhe ambasadori i BE-së Mihalis Rokas i cili tha se duhet të zhvillohet me dialog gjithëpërfshirës me palët e interesuara dhe të mos politizohet.

“Ne jemi të vetëdijshëm për këtë çështje, e cila ka pasur shumë jehonë publike gjatë ditëve të fundit. Natyrisht, Kushtetuta dhe legjislacioni kombëtar duhet të respektohen dhe kur lindin çështje të tilla është thelbësore që të zhvillohet një dialog gjithëpërfshirës me të gjithë palët e interesuara, në mënyrë të matur dhe, mundësisht, pa u politizuar”, u shpreh Mihails Rokas – Ambasador i BE-së në RMV.

Kryeministri Mickoski dje e tërhoqi deklaratën e dhënë para disa ditëve lidhur me mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe. Dje tha se provimi mund të mbahet edhe në gjuhë tjetër, vetëm nëse miratohet një ligj për këtë, sepse ligji aktual nuk e lejon. Pas kësaj, kryeministri theksoi se ligji do të dërgohet tek Komisioni i Venecias.