Protestuesit anti-qeveritar në Iran kanë festuar eliminimin e ekipit të tyre kombëtar në futboll nga Kupa e Botës, pas humbjes që pësoi Irani nga Shtetet e Bashkuara.
Në videot e postuara në rrjetet sociale janë shfaqur qytetarë duke vallëzuar në rrugë dhe duke i rënë borive të makinave në Teheran dhe në qytete të tjera të martën mbrëma.
Shumë iranianë kanë refuzuar që të mbështesin ekipin e tyre të futbollit në kampionatin që po mbahet në Katar, pasi e shohin atë si përfaqësim të Republikës Islamike.
Mediat e afërta me pushtetin kanë fajësuar forcat armike brenda dhe jashtë Iranit se u kanë bërë presion të padrejtë lojtarëve.
Lojtarët e Iranit nuk kënduan himnin kombëtar gjatë ndeshjes së parë, ku u mposhtën 6:2 nga Anglia. Moskëndimi i himnit duket se ishte shprehje e solidaritetit me protestuesit.
