Protestojnë ish punonjësit e “Plastikës Medicinale”! I kërkojnë 30 rrogat, akuzojnë për përvetësim të padrejtë të ndërmarrjes

TË FUNDIT

Edhe pas 16 vitesh nga falimentimi i fabrikës “Plastika Medicinale” në Tetovë, punëtorët e saj ende i presin 30 rrogat dhe 5 vjet kontribute të papaguara. Për këtë ata sot e ngritën zërin para fabrikës ku kanë punuar, e për të cilën madje thonë se i kanë blerë aksionet që të mos falimentonte, ndërsa tani kjo ndërmarrja është duke u shitur për 5 milionë euro nga personat që nuk kanë investuar asgjë në të.

 “Kërkesa tona janë 30 rrogat e ngelura, aksionet me para vetanake të blera kush si ka mundur dhe 5 vjet kontribute ta papaguara të të punësuarve, tani kemi informacion se kompania i shitet ndokujt dhe që është blerë për 300 mijë dhe shitet për 5 milionë, nuk jemi këtu për të kërkuar ndihmë sociale nga shteti, por kërkojmë që na paguhet ajo që është e jona.”

 “Në gjë dua t’u them se 730 mijë euro të punësuarit i kanë dhënë për privatizimin, vetëm të punësuarit kanë dhënë për privatizimin, të tjetër askush nuk dha, dhe ne duhej të jemi pronarë, të tjetër me manipulime i morën të gjitha aksionet, me presione më kryesorja është t’u them se ata që kanë paguar më shumë janë të punësuarit dhe fabrika është dashur të jetë e jona.”

 “Këtu ka një moment që është bërë privatizimit në formë kriminale dhe është shitur toka që nuk ka prejardhje toka dhe toka ka qenë e shtetit, nuk ka qenë lënë për privatizim dhe këta edhe tokën e udhën mbi vete, këtu ka edhe diçka se ka aksione që janë pezull, pasi që në atë kohë nuk i mori Agjencia për privatizim dhe u kthyen në Ministrinë e Financave dhe ato flenë atje, e këta i përvetësuan”.

Të punësuarit kërkojnë nga pronari i ri që para blerjes së ndërmarrjes, tua paguajë borxhin, ndërsa shtojnë se nëse kjo nuk ndodh kështu, atëherë do të dorëzojnë dokumentacion në Prokurorinë për ndjekje të Krimit dhe Korrupsionit. Ish të punësuarit po ashtu kanë kërkesë edhe për kryeministrin Dimitar Kovaçevski, që të interesohet për këtë rast.