Protestë para administratës së Qytetit të Shkupit nga punonjësit e NP “Rrugë dhe rrugica”.
Protestojnë për shkak se nuk e kanë marrë pagën e nëntorit dhe K-15-tën.
Thonë se janë duke i mbajtur familjet me kredi.
“Në këtë të ftohtë, në dimër-verë ne punojmë pa ndalur, bie borë ne dalim të punojmë me ndërrime, shi, borë ne jemi nëpër qytet, nga na thonë nuk refuzojmë, mirëpo kur vjen puna tek rroga ja çfarë ndodh”, tha Nevaip Memishi – punonjës në NP “Rrugë dhe Rrugica”.
Një punëtor tjetër i kësaj ndërmarrjeje na tha se rrogat ua vonojnë çdo muaj, gjersa tregoi se edhe veturat e ndërmarrjes i ngasin pa regjistrim, që është në kundërshtim me ligjin, vetëm e vetëm që ta kryejnë punën.
BEQIR AJREDINI, PUNONJËS NË NP “RRUGË DHE RRUGICA”
“Ligji ekziston që para 15-tit të mos vonohet rroga, për çfarë 19, 20, 25?!
-Çfarë ndodh nëse ende ua vonojnë?
-Kjo është! Do të protestoni?
-Po ku do të shkojmë?!
-Vetëm një veturë e kemi të regjistruar, vetëm këtë. Pa regjistruar dalim të punojmë kundër ligjit”, u shpreh Beqir Ajredini – punonjës në NP “Rrugë dhe Rrugica”.
Kryetari i Konfederatës së organizatave sindikale të Maqedonisë, Marjan Risteski paralajmëron se nëse punonjësve nuk ua lëshojnë rrogat, do ta bllokojnë qytetin me protesta.
“Imagjinoni, po protestojnë për rrogën. E lëre më të kërkojmë disa mjete tjera – për mjete mbrojtëse në punë apo rritje rroge. Nuk kanë as automjete të regjistruara, nuk kanë as mjete për punë, punojnë ku janë paratë”, potencoi Marjan Risteski – kryetar i KOSM.
Punonjësit kërkuan takim me Kryetarin e Shkupit Danella Arsovska që ta zgjidhin problemin për ndërmarrjen, por deri tani nuk kanë marrë përgjigje.
Kërkuam përgjigje edhe nga Qyteti i Shkupit se pse ende nuk janë lëshuar pagat e nëntorit dhe kur pritet të zgjidhet problemi, por deri në këtë edicion të lajmeve nuk morëm përgjigje.
