Mbrëmë vonë qytetarë të Çairit, bashkë me kryetarin Visar Ganiun mblodhën mbeturinat në Çarshinë e Vjetër.
“Prej këtu, këta kamionë privatisht që i kemi siguruar, këtu mbrapa që po i grumbullojmë, krejt së bashku do të shkojmë para komunës së Qytetit të Shkupit dhe do i derdhim atje”, tha Visar Ganiu Kryetar I Çairit.
Të revoltuar se pse nuk po e kryen këtë punë NP Higjiena Komunale, mbeturinat që i mblodhën i nisën për në Qytetin e Shkupit, institucion nën të cilin funksionon kjo ndërmarrje.
Kamionin me mbeturina qytetarët e përcollën në këmbë deri te Qyteti.
Kamioni u zbraz pikërisht para derës së hyrjes te objekti i Qytetit të Shkupit.
“Sonte ne e bëmë atë që duhej ta bënte Higjiena Komunale. Për obligim pastrimin e ka Higjiena Komunale, ne jemi taksapagues, neve na kanë lënë si në kohën e komunizmit. Si me qenë qytetarë të rendit të dytë e të tretë, e jo si gjithë të tjerët. Na bllokuan që mbeturinat t’i çojmë në Drislla, gjitha format që i ofruam na i bllokoi, kështu që ne u detyruam me qytetarët t’i grumbullojmë mbeturinat dhe t’i sjellim këtu, që nesër Arsovska ta shoh se si është të jetohet me mbeturina”, pohoi ”, tha Visar Ganiu Kryetar i Çairit.
Disa minuta pasi Ganiu dhe qytetarët u larguan, aty arriti Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska.
“Zotëri Visar Ganiu së pari i mblodhi mbeturinat e ndërtimeve pa leje, disa divane e materiale dhe prej kur i shkrova në fb se nuk e ka planin e mirë, diçka ka ndryshuar me mbeturinat. Me automobil ilegal, kundër ligjit, ka ardhur para Qytetit të Shkupit dhe e ka derdhur. Ka qëndruar, kujdes, 3 minuta, 3 minuta”, pohoi Danella Arsovksa, kryetare e Qytetit të Shkupit.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti thotë se çështja nuk është as te mbeturinat e as te ndërtimet pa leje në Çair. Siipas problemi është diçka tjetër.
“Kjo nuk është çështja, ky nuk është problemi. Problemi është që dështoi edhe plani i parafundit i Z.Ahmeti dhe Taravarit. Sepse Ahmeti tha që do të del në rrugë dhe nuk do kthehet, por si duket rrugën burrat e BDI-së ja kanë lënë Arsovëskës dhe Levicës. Kjo është një strategji e fundit e Ahmetit për destabilizim të vendit, kësaj radhe nëpërmjet komunave”, u shpreh Izet mexhiti – Zëvendëskryeministër.
Ndryshe konflikti mes Ganiut edhe Arsovskës ka një kohë të gjatë që ka nisur. Përveç mbeturinave të pa grumbulluara, Ganiu e akuzon Arsovskën se nuk po investon fare në komunën e Çairit, ndonëse një shumë e madhe e tatimeve të çairasve derdhen në buxhetin e Shkupit. Nga ana tjetër Arsovska ditëve të fundit live përmes facebook ka raportuar për, sipas saj, ndërtime të egra në Çair.
