Protestë masive në Athinë

TË FUNDIT

Masivisht dhe me tensione në fund, përfundoi protesta në qendër të Athinës për shënimin e Ditës së punës, por edhe kundër ligjit të ri për marrëdhënie të punës të Qeverisë greke.

Protesta, organizuar nga Sindikata e të punësuarve në sektorin publik (ADEDI) ishte mbështetur edhe nga opozitaret SYRIZA dhe MERA25, ndërsa së bashku me demonstruesit ishin edhe liderët e të dy partive Aleksis Cipras dhe Janis Varufakis.

Nga SYRIZA të pranishëm ishin një pjesë e madhe e deputetëve dhe ish-ministrave, ndërkaq Ciprasi në deklaratë për mediumet tha se “përderisa në tërë botën pandemia i shtyn qeveritë të kuptojnë se jeta njerëzore është mbi fitimin. Qeveria në Greqi po lëvizë në kahe të kundërt dhe po tenton ta shfrytëzojë pandeminë si mundësi për të imponuar heqje të orarit të punës prej tetë orëve.

Protesta në përgjithësi kaloi qetë, me përjashtim në fund, kur disa persona hodhën tre konteje molotovi, por pa pasur incidente shtesë, ndërsa paralelisht ishte hedhur ngjyrë dhe u shkruan slogane në ndërtesën e Bankës së Greqisë.

Në protestë, që është në kuadër të grevës 24-orëshe, morën pjesë edhe organizata dhe shoqata të orientuara majtiste, ndërsa Sindikata PAME e Partisë komuniste, si edhe çdoherë, mbajti tubim të posaçëm para Parlamentit grek.

Greva e sotme shkaktoi problem në komunikacionin detar dhe ajror në Greqi, si dhe në transportin publik në Athinë.

Nga Sindikata e të punësuarve në sektorin publik, thonë se Qeveria, me ligjin konkret për marrëdhënie të punës, mes tjerash, planifikon ta heqë orarin prej tetë orëve dhe pesë ditëve të punës në javë dhe të vendosë punë nëntëorëshe, t’i heqë marrëveshjet kolektive, por edhe ta pengojë të drejtën e grevës.

Dita e punës në Greqi këtë vit shënohet dy herë – sot dhe të martën, duke pasur parasysh atë që u ndanë sindikatat e të punësuarve në sektorin privat dhe publik, kështu që, ai i të punësuarve në sektorin privat pardje mbajti grevë 24-orëshe, por pa organizuar protesta.

Megjithatë nga të dy sindikatat këtë vit Ditën e punës ia kushtojnë ndryshimeve të reja në ligjin për marrëdhënie të punës që i sjellë Ministria e Punës e Greqisë dhe dërgojnë porosi se nuk duhet në asnjë rast të ndryshohet orari prej tetë orëve./MIA