Punonjësit e kulturës për festat e Pashkëve mbetën pa rroga. Për këtë arsye dolën në protestë përpara godinës së Ministrisë së Kulturës. Rreth tre mijë punëtorë kërkojnë që t’u paguhen rrogat e marsit, pasi siç thonë ky problem po përsëritet çdo vit.
“Nuk është vetëm mashtrimi administrativ, është tradhti ligjore dhe morale, jo, nuk është një çështje teknike, ky është një sulm ndaj dinjitetit të çdo punonjësi kulturor, mosrespektimi i marrëveshjes kolektive është mungesë respekti për njeriun”, tha Elmir Sejfullahu.
Ata kërkuan respektimin e marrëveshjeve kolektive dhe ligjeve, kushte dinjitoze të punës, transparencë dhe menaxhim profesional të institucioneve të kulturës.
“Sikurse edhe vitet paraprake, njëjtë edhe këtë vit ne të kulturës erdhëm te i pakulturi për pagat. Mua më vjen keq që deri dje ministri qëndron krah për krah me ju si punëtor, e tani si ministër me rritje të pagës 79% po lufton kundër pagave tuaja, kundër pagave të parapara me marrëveshje kolektive, që sipas meje është turp”, tha Slobodan Trendafilovski
“Momentalisht institucionet nuk po veprojnë sipas udhëzimeve të reja, sepse askush nuk e ka të qartë, çfarë duhet të bëhet për momentin, shpresoj që gjatë ditës do të jepen udhëzime më të detajuara dhe shpresojmë që pagat e marsit do t’i marrim para festës së 1 majit”, deklaroi Vera Atanasovska.
Ne nuk protestojmë për luks, por për një të drejtë të garantuar me kushtetutë. Ligjet duhet të jenë të barabarta për të gjithë, u tha në protestë.
Ministri i Kulturës Zoran Lutkov, i pyetur se kur mund t’i presin të punësuarit rrogat e marsit, për TV21 shkurt tha se për momentin po punohet mbi zgjidhjet e reja për pagat.
