Protesta në SHBA: Pas Portlandit, Trampi kërcënon të dërgojë agjentë federalë edhe në qytete të tjera

TË FUNDIT

Pasi autoritetet federale përdorën furgonë, njerëz të maskuar, gaz lotsjellës dhe plumba gome për arrestimin e protestuesve dhe për shpërndarjen e protestave në Portland, Oregon, tensionet mes qeverisë dhe protestuesve mbrëmë eskaluan.

Protestat në këtë qytet të Bregut Perëndimor amerikan kanë zgjatur gati dy muaj kundër dhunës së policisë dhe racizmit, pas vrasjes në maj të afro-amerikanit Xhorxh Flojd.

Kryetari i komunës, Ted Viler deklaroi se në qytet janë vendosur dhjetëra, mbase edhe qindra, trupa federal dhe “prania e tyre vetëm çon në më shumë dhunë dhe vandalizëm.” Protestuesit mbrëmë kërkuan që forcat federale të largohen nga Portlandi pas raporteve që agjentët kanë kryer rrëmbime selektive të qytetarëve në një drejtim të panjohur në furgonë të pa shënjuar.

Në këtë bëri thirrje edhe guvernatori i Oregonit dhe prokurori i përgjithshëm, demokratët, me kritika drejtuar presidentit Donald Tramp për rëndimin e situatës për qëllime politike gjatë vitit të zgjedhjeve. Prokurori ngriti padi për arrestimin e paligjshëm të protestuesve pa një urdhër gjykate dhe shkelje të drejtës kushtetuese për tubim.

Tramp, mbrëmë nga Shtëpia e Bardhë përsëri bëri thirrje për vendosjen e rendit dhe paqes në vendet ku ka ende protesta.

“Po dërgojmë forca të sigurisë, nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë në qytetet tona,” tha ai.

Dërgoi kritika deri te qytetet e udhëhequra nga “demokratët liberalë”. Ai i veçoi qytetet Çikago, Nju Jork, Filadelfia, Detroit, Baltimor dhe Ouklend, ku kishte probleme, dhunë, ndërsa udhëheqësit e tyre “frikohen të ndërmarrin veprime”.

“Guvernatori i Oregonit, kryetari i komunës së Portlandit dhe zyrtarët e shtetit kanë frikë nga ‘anarkistët”, tha Tramp. Ai shtoi se “kjo është arsyeja pse ata nuk na lejojnë t’i ndihmojmë ata”.

“Zyrtarët federale janë atje për të tretën ditë dhe brenda një kohe të shkurtër ata bënë një punë fantastike. Ata kapën disa njerëz dhe i burgosën lidrët. Ata janë anarkistë”, deklaroi Tramp.

Pas u paraqitën raportet për rrëmbimet, Demokratët në Kongresin amerikan kërkuan përgjegjësi dhe filluan hetim për heqjen e paligjshme të lirisë dhe shkeljen e Ndryshimit të parë të së drejtës së garantuar me kushtetutë për liri dhe tubim të lirshëm.

Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, tha që forcat federale janë dërguar pas një urdhri ekzekutiv për mbrojtje të shteteve federale të firmosur nga presidenti muajin e kaluar dhe se për këtë nuk kanë nevojë për leje nga autoritetet shtetërore.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare planifikon të dërgojë 150 agjentë në Çikago këtë javë, njoftoi Çikago tribjun. Agjentët gjoja janë përforcime për forcat federale dhe policinë në Çikago, për luftë kundër krimit në qytetin ku në periudhën e kaluar kanë ndodhur të shtëna dhe vrasje./MIA