PROTESTA KUNDËR PUSHTETIT, KËRKOJNË ZBARDHJEN E RASTEVE TË MONTUARA

TË FUNDIT

Edhe protesta e sotme në Tetovë nuk arriti të realizohet deri në fund. Protestuesit u bllokuan nga forcat policore në momentin që marshuan nga rektorati i UT-së drejt selisë së BDI-së. Vëllai i El Chekës para protestuesve tha që kërkon anulimin e ligjit për bisedat e përgjuara.

“Nuk jemi mbledhur sot këtu në këtë diell për tê shetitur por na ka mbledhur nevoja për të protestuar kundër një dukurie mafioze së politikës shqiptare. Ne jemi mbledhur këtu për të kërkuar që urgjentisht parlamenti të fillojë procedurë për të anuluar ligjin i cili e sanksionon publikimin e bisedave të përgjuara të përfaqësuesve politik shqiptarë dhe jo vetem. Ne kërkojmë që ky ligj të shpallet i pavlefshëm”, tha Blerim Ahmeti.

Shpëtim Pollozhani nga Shoqata e të burgosurve politik kërkon nga Prokuroria që të hetojë përgjimet e publikuara, ku sipas tij ka indice për krim dhe vrasje.

“Le të shfrytëzoj rastin me anë të këtyre bisedave te përgjuara, ne do të kërkojmë nga Prokuroria edhe zyrtarisht të hapi lendën penale në lidhje me bisedat e përgjuara. Ka një institucion ligjor i cili thotë se prokuroria hap lëndë që lidhet me një informatë që ka aritur. Ka baza të forta që të hapet lëndë në prokurori, për shumë raste pasi më ka indice për vrasje, të mos flasim më për shantazhe për punësime familjare, imoralitet”, deklaroi Shpetim Pollozhani nga Shoqata e të Burgosurve Politik.

Kjo është protesta e dytë e organizuar nga vëllai i El Chekês kundër partisë së BDI-së. Protesta vjen pas publikimit të bisedave të përgjuara në rrjetet sociale. Ata do të vazhdojnë me protesta të reja, por data e mbajtjes së tyre ende nuk bëhet e ditur.

Përgatiti: Afrim Jonuzi