PROTESTA E PRINDËRVE ME EPILOG POZITIV, HIQET TESTI KUALIFIKUES PËR GJIMNAZISTËT DHE MJEKËSINË

TË FUNDIT

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur që të heqë testimin kualifikues për gjimnazistët e shkollës së mesme “Orce Nikollov” dhe shkollës së mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov”. Drejtori i “Orce Nikollov”, Mitko Dimovski thotë se në shkollën që ai drejton do të pranohen të gjithë 311 nxënësit të cilët kanë aplikuar dhe janë me notë mesatare 5.00.

“Vendimi është që 311 nxënësit do të ndahen në nëntë paralele. Të gjithë ata 311 nxënës janë me sukses shembullor, d.m.th, nuk do të ketë test kualifikues, por do të ndahen në nëntë paralele. Atë që e kemi si informacion është se në të gjithë nëntë paralelet do të ketë nga 34 nxënës, problemi qëndronte në 5 nxënës, të cilët ministria vendosi t’i ndajmë, në pesë paralele nga një”, u shpreh Mitko Dimovski.

Prindi i një gjimnazisti nga “Orce Nikollov” tha se është mirë që kërkesa e tyre u pranua. Ai thotë se u arrit qëllimi për të hequr testin kualifikues dhe për të pranuar të gjithë nxënësit pa përjashtim.

“Ishin dy variante. Nga të cilat njëra ishte shtimi i paraleleve që për momentin janë nëntë. Numrit 285 t’i shtohet edhe plus 26-të. Dhe mënyra tjetër ishte që të hapet paralele e re. Megjithatë variant i dytë nuk u morr parasysh nga ana e ministrisë. Që të mos ketë testim kualifikues për të gjithë nxënësit e paraqitur 300 e ca, u gjet zgjidhje që ata 26 nxënës të ngelur të shpërndahen në nëntë paralelet ekzistuese dhe gjithçka të jetë brenda kornizave ligjore”, theksoi një prind.

Për testimin kualifikues kanë reaguar edhe nga organizata rinore arsimore. Ata thanë se është e pakuptimtë të testohen nxënësit kur shumica prej tyre nuk kanë libra për lëndët në të cilat do të testohen. Për dallim nga gjimnazistët e shkollës së mesme “Orce Nikollov” dhe shkollës së mjekësisë “Pançe Karagjozov”, testit kualifikues do t’ i nënshtrohen nxënësit e paraleleve për gjuhë të huaja në “Orce Nikollov” dhe shkollës së mesme “Dimitar Vllahov” në Strumicë.

Përgatiti: Mevludin Imeri