Kërcënoi kryeministrin përmes rrjeteve sociale! Prokuroria nisi procedurë ndaj një 39-vjeçari nga Çerkezi

TË FUNDIT

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur procedurë ndaj një 39-vjeçari nga fshati Çerkez, i dyshuar për veprën penale “Rrezikim i sigurisë”.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari përmes mesazheve në rrjetet sociale ka fyer dhe kërcënuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut. Për shkak të rrezikut të arratisjes dhe precedentëve të tij të mëparshëm në krime të dhunshme, prokurori ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

“I dyshuari, përmes mesazheve në rrjetet sociale, e ka fyer dhe kërcënuar Kryeministrin e Qeverisë së RMV-së. Duke vlerësuar rrethanat e kryerjes së veprës, rrezikun e arratisjes, e veçanërisht faktin se i dyshuari është autor edhe i veprave të tjera penale nga fusha e kriminalitetit të dhunshëm prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Prokuroria Themelore.

Kryeministri Mickoski tha se ka mësuar dje për kërcënimet ndaj tij dhe familjes së tij, të publikuara në rrjetet sociale. Ai tha se institucionet tashmë kanë ndërmarrë masa për sigurinë e personit dhe pret që edhe sistemi gjyqësor të veprojë në përputhje me kompetencat e tij.

“Po, unë mora vesh gjatë ditës së djeshme për kërcënimet që janë shkruar në rrjetet sociale nga ky person, se gjoja jam derr dhe se do të më therin në shesh. Ka drejtuar fyerje ndaj meje dhe ndaj familjes sime. Unë megjithatë jam institucion. Nëse nuk do të ishte kjo, e di se si zgjidhen këto çështje, por supozoj se institucionet i kanë ndërmarrë kompetencat e tyre”, deklaroi Mickoski.

Ministria së Punëve të Brendshme tashmë e ka ndaluar personin në fjalë. Ndërsa nga prokuroria njoftojnë se bëhet fjalë për person konfliktual, me histori kërcënimesh dhe përleshjesh fizike.