“Pronarët s’i kanë problem gjobat për marzhat e larta”/ Propozimligji për mbylljen e kompanive pret për të hyrë në fuqi

TË FUNDIT

Nga 1 deri më 14 qershor nga 220 kontrolle të kryera inspektuese, janë regjistruar 30 shkelje të Ligjit te subjektet afariste.

“Nëse nuk e ka mbajtur evidencën sipas rregullores, gjobat lëvizin nga 400 deri në 5.000 euro në kundërvlerë denari për personin juridik dhe nga 30 deri në 300 euro për personin përgjegjës në subjektin juridik. Nëse evidenca nuk gjendet në objektin tregtar, atëherë kemi gjoba më të buta. Ato variojnë nga 60 deri në 800 euro për personin juridik dhe nga 20 deri në 200 për personin fizik. Por, kjo nënkupton se në mënyrë shtesë tregtari patjetër duhet ta dorëzojë evidencën e bërë, me qëllim që të mund të bëhet kontroll i tërësishëm”, pohoi Aneta Simeska-Dimoska, drejtoreshë e Inspektoratit të Tregut.

Pas sjelljes së vendimit më 14 të këtij muaji, me të cilin u kufizuan marzhat e disa produkteve për 5 dhe 10% , Inspektorati i Tregut sërish doli në kontroll, duke konstatuar se marzhat e çmimeve kanë shënuar ulje të dukshme, sidomos kur bëhet fjalë për makaronat, orizin dhe vezët.

Për 6 ditë janë kryer 140 inspektime, kurse parregullsi janë hasur në 4 subjekte, për shkak se dokumentet e evidencës nuk gjendeshin në objekt dhe nuk ishin të qasshme për organet e Inspektoratit. Dimoska thotë se siç duket, tregtarët nuk e kanë problem t’i paguajnë gjobat, prandaj në të ardhmen parashihen masa më të rrepta.

“Sipas kësaj nuk mund të kemi masa për mbyllje. Me ndryshimet e reja të ligjit do të ketë masa të tilla, por ato ende nuk kanë hyrë në fuqi. Kjo ka të bëjë me një bazë tjetër të Ligjit të Konsumatorëve“, tha Aneta Simeska-Dimoska, drejtoreshë e Inspektoratit të Tregut.

Propozim-ligj i paralajmëruar nga Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sot u votua në Qeveri dhe tani pret të kalojë edhe në Kuvend për të hyrë në fuqi.